Blair: NATO nuk duhet të përjashtojë ndërhyrjen në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, i cili ka një përvojë të konsiderueshme në ndërtimin e një aleance ndërkombëtare për të kundërshtuar një diktator, ka publikuar një ese të gjatë të tij rreth luftës në Ukrainë.

Pjesa më e madhe e analizave të tij dhe ajo që ai rekomandon, përputhet me atë që Boris Johnson ka thënë. Por të paktën dy nga argumentet e tij sfidojnë konsensusin aktual të kryeministrit për luftën.

Blair thotë se është gabim që NATO të jetë po aq specifike sa ka qenë për mospërfshirjen në luftë.

“Unë e kuptoj dhe pranoj se nuk ka mbështetje politike për ndonjë angazhim të drejtpërdrejtë ushtarak nga NATO-ja në Rusi. Por ne duhet ta dimë se çfarë po bën Putin. Ai po përdor hezitimin tonë për të mos provokuar përshkallëzim, krahas vullnetit të tij për të përshkallëzuar situatën kundër nesh. Kur ai kërcënon NATO-n, madje duke nxitur frikën e konfliktit bërthamor, në ndjekje të përpjekjes së tij për të rrëzuar me forcë presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike të një kombi paqësor dhe për të bërë luftë kundër popullit të tij, ka diçka të papajtueshme në mënyrën se si e kemi siguruar se ne nuk do të reagojmë me forcë”, ka shkruar Blair.

“Unë e pranoj arsyetimin që qëndron pas qëndrimit tonë. Por le të supozojmë se ai përdor armë kimike ose një armë bërthamore taktike, ose përpiqet të shkatërrojë Kievin, siç bëri Alepon në Siri, pa marrë parasysh humbjen e jetës civile – a është e arsyeshme t’i thuash atij paraprakisht se çfarëdo që ai të bëjë ushtarakisht, ne do përjashtojmë çdo formë të reagimit ushtarak? Ndoshta ky është pozicioni ynë dhe ndoshta ky është pozicioni i duhur, por sinjalizimi i vazhdueshëm dhe heqja e dyshimit në mendjen e tij, është një taktikë e çuditshme”, u shpreh tutje njeriu që ishte kryeministër i Britanisë në kohën kur NATO ndërhyri në luftën në Kosovë, kur Serbia po kryente gjenocid.

Blair thotë se Perëndimi nuk duhet të heqë dorë nga mundësia e negocimit të një marrëveshjeje paqeje me Putinin. Kjo mund të përfshijë edhe statusin e ardhshëm të Krimesë dhe pjesëve të Ukrainës lindore që janë në tryezë, raporton Guardian.

Duke bërë thirrje për një shtytje të bashkërenduar dhe të strukturuar, dhe për një zgjidhje të negociuar, Blair tha:

“Dy javët e ardhshme mund të jenë shansi i fundit për të arritur një zgjidhje të negociuar para se sulmi ndaj Kievit të përkeqësohet, populli ukrainas të bëhet armiqësor ndaj çdo negociate ose Putini të përballet me një zgjedhje binare mes ‘dyfishimit” ose tërheqjes’”.

Go to TOP