Drita dënohet shkaku i zhvillimeve të lidhura në ndeshjen me Prishtinën

Lëshimet e Dritës në organizimin e ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ndaj Prishtinës i kanë kushtuar klubit nga Gjilani.

Komisioni Disiplinor dhei  Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka dënuar klubin gjilanas me zhvillimin e katër ndeshjeve në terren të vet pa praninë e shikuesve dhe me gjobë prej 1500 euro. Vendimi është publikuar të martën. 

“Pas përfundimit të ndeshjes, tifozët e Dritës manifestuan sjellje të ashpra, josportive, e të cilat dëmtojnë autoritetin sportiv të futbollit. Sjelljet e tyre janë manifestuar me gjuajtje të gjësendeve të palejuara në drejtim të lojtarëve të Prishtinës, përafërsisht 25 shishe plastike. Tifozët e Dritës kalojnë rrethojat, duke depërtuar në fushë dhe duke u konfrontuar drejtpërdrejt fizikisht me zyrtarët e klubit Drita”, është shkruar në arsyetim të vendimit.

Sipas njoftimit të FFK-së “vendimi është i nevojshëm për të mbrojtur integritetin dhe imazhin e sportit dhe për të zbatuar rregullat dhe normat e përgjithshme të sjelljes sportive konform akteve normative të federatës”.

Pas ndeshjes me Prishtinën zyrtarët e klubit dhe eksponentë të tifo-grupit “Intelektualët” kanë pasur konflikt fizik, ku përfundimi ka qenë në Policinë e Kosovës. 

Drita qe eleminuar nga Kupa e Kosovës pas humbjes nga Prishtina, ndërsa tashmë ka humbur edhe hapin me Llapin dhe Ballkanin në garën për titull. 

No description available.
Go to TOP