Bizneset paralajmërojnë masa të ashpra kundër ZRRE-së: Kërkohet pezullimi urgjent i liberalizimit të tregut të energjisë
Bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar masa të ashpra kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë, nëse ky institucion nuk tërhiqet nga zbatimi i tij.
Në një reagim të ashpër, përfaqësues të komunitetit të biznesit kanë shprehur shqetësim të thellë për mënyrën e njëanshme dhe të papërgatitur me të cilën po implementohet ky vendim, që sipas tyre, rrezikon seriozisht stabilitetin financiar dhe vetë mbijetesën e shumë kompanive vendore.
“Sot është momenti i fundit për reflektim. Nëse ZRRE nuk merr vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, ne do të jemi të detyruar të ndërmarrim masa demokratike dhe ligjore për kundërshtimin e tij, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike,” thuhet në deklaratën e bizneseve.
Ata theksojnë se kërkesat për dialog dhe për rishqyrtim të vendimit janë shpërfillur në mënyrë të vazhdueshme nga ZRRE-ja, duke e rritur pasigurinë në treg dhe duke i shtuar barrën financiare sektorit privat, i cili tashmë ndodhet përballë sfidave të rënda ekonomike.
“Paralajmërojmë se përgjegjësia e plotë për çdo pasojë që mund të sjellë kjo krizë bie mbi ZRRE-në dhe institucionet që po lejojnë zbatimin e këtij vendimi të padrejtë,” thuhet më tej në reagim.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje ZRRE-së dhe institucioneve përgjegjëse që të pezullojnë menjëherë vendimin dhe të përfshijnë në mënyrë të drejtpërdrejtë komunitetin e biznesit në çdo proces që ka ndikim në operimin dhe qëndrueshmërinë e tyre. /Kosova.info/
