Bizneset kërkojnë që të shtyhet dalja në tregun e hapur

Të enjten për dy orë hyrjet kryesore në Prishtinë do të bllokohen nga kamionë te bizneseve të mëdha në Kosovë, të cilat po kundërshtojnë daljen në tregun e lirë energjetik. Përfaqësues të bizneseve thanë se dalja në tregun e lirë do t’i dëmtojë bizneset dhe konsumatorët, andaj kërkuan që i njëjti të shtyhet.

“Nesër nga ora 10:00-13:00 do të ketë mbyllje të rrugëve në hyrje të Prishtinës si hap për të kundërshtuar daljen në tregun e hapur. Ne nuk kundërshtojmë daljen në tregun e hapur, por kërkojmë kohë për periudhën e tranzicionit. Janë katër lokacione ku do të ketë protestë, rruga e Veternikut, rrethi nga Fushë Kosova, rrethi për Mitrovicë dhe rruga që vie nga Podujeva. Deri sot i kemi dhënë rrugë dialogut”, ka deklaruar Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike.

Nga Dhoma e Tregtisë thanë se dalja në treg të lirë duhet të bëhet pasi bizneset të përgatiten për këtë tranzicion.

“Ne kemi përdorur të gjitha metodat e komunikimit. Vendimi është i pa analizuar dhe shkakton dëme të bizneset dhe rritja e çmimeve. Dje kemi pasur takim edhe me qeverinë që të ndalohet ky vendim”, deklaroi kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skënder Krasniqi.

Ndërkaq, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve tha se protestat do të vazhdojnë deri në pezullimin e vendimit.

“Nuk është dëshirë e jona që nesër të dalin maunat, që bizneset t’i bllokojnë rrugët. Por është mesazh që do t’i dërgohet ZRRE-së që vendimi të kthehet mbrapa”, ka shtuar ai.


Go to TOP