Bizneset kërkojnë pezullimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë – takim urgjent në Odën Ekonomike

Në ambientet e Odës Ekonomike të Kosovës u zhvillua sot një takim urgjent me përfaqësues të bizneseve të prekura nga vendimi i fundit i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Takimi u organizua nga Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane, Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, Klubin e Biznesit dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë. Në këtë mbledhje morën pjesë biznese që kanë mbi 50 të punësuar ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.

Qëllimi i takimit ishte adresimi i shqetësimeve të mëdha që ky vendim pritet të shkaktojë për sektorin privat. Bizneset ngritën zërin kundër mungesës së konsultimit me komunitetin ekonomik para marrjes së këtij vendimi dhe theksuan pasojat e mundshme financiare dhe operacionale që mund të godasin drejtpërdrejt aktivitetin e tyre.

Përfaqësuesit e odave dhe të bizneseve kërkuan pezullimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE-së për një periudhë të paktën njëvjeçare duke insistuar në nevojën për një proces gjithëpërfshirës konsultimi dhe përgatitjeje. Ata theksuan se çdo reformë e këtij lloji duhet të shoqërohet me transparencë, analizë të ndikimit dhe kohë të mjaftueshme për përshtatje.

Në fund të takimit, palët u dakorduan që të ndërmarrin hapa të përbashkët dhe koordinues për të kërkuar pezullimin e vendimit, përfshirë takime urgjente me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe vetë ZRRE-në.

Takimi u ndoq nga afër edhe nga mediat, ndërsa Oda Ekonomike e Kosovës dhe partnerët e saj theksuan përkushtimin e tyre për të mbrojtur interesat e komunitetit të biznesit dhe për të siguruar një qasje të drejtë dhe të qëndrueshme ndaj tregut të energjisë në vend. /Kosova.info/


Go to TOP