BERZh, BEI dhe BE do të financojnë një impiant të ri të ujërave të zeza në Kosovë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Banka Evropiane e Investimeve dhe Bashkimi Evropian (BE) po financojnë një impiant të ri për trajtimin e ujërave të zeza në Veri të Kosovës, për të përmirësuar standardet sanitare dhe për të reduktuar ndotjen e ujërave të zeza në Mitrovicën e Jugut, në Vushtrri dhe në zonat përreth.

BERZh i jep një kredi prej 13.5 milionë euro Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Mitrovicë, një kompani kjo shtetërore e ujësjellësit, për të financuar ndërtimin e impiantit të ri për trajtim, si dhe për të rehabilituar dhe zgjeruar rrjetin e ujërave të zeza në Mitrovicën e Jugut dhe në Vushtrri. Nga impianti do të përfitojnë më shumë se 123,000 njerëz që jetojnë në zonën e shërbimit të kompanisë.

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) do të bashkë financojë projektin me një kredi tjetër prej 13.5 milionë euro, ndërsa BE do të sigurojë një grant prej 5 milionë eurosh përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Projekti gjithashtu do të përfitojë nga asistenca teknike të cilën e ofron WBIF dhe Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike.

Matteo Colangeli, drejtor Rajonal i BERZh për Ballkanin Perëndimor, tha: “Kurrë nuk ka pasur një moment më të volitshëm për të investuar në infrastrukturën e gjelbër. BERZh është entuziast të rrisë mbështetjen e tij për Kosovën për të krijuar një mjedis më të shëndetshëm për qytetarët e saj.”

Hekuran Murati, ministër i Financave i Kosovës, shtoi: “Ky projekt është me prioritet të lartë për qeverinë tonë pasi do të përmirësojë jetën e qytetarëve në rajonin e Mitrovicës, duke ofruar shërbime të përmirësuara sanitare për popullatën lokale përmes kapaciteteve të shtuara të grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të zeza”.

Impianti i ri për trajtim do të reduktojë ndjeshëm ndotjen nga ujërat e zeza që rrjedhin në katër lumenjtë e rajonit dhe do t’u sigurojë banorëve qasje në ujë më të pastër. Nga kjo do të përfitojnë edhe komunat në Serbinë fqinje.

Në dekadat e fundit, cilësia e ujit të lumenjve në Kosovë është përkeqësuar, për shkak të mungesës së trajtimit të duhur të ujërave të zeza dhe të mbeturinave të ngurta. BERZh po e ndihmon Kosovën në adresimin e këtyre sfidave dhe për të investuar në infrastrukturën moderne mjedisore me financim të strukturuar mirë përmes WBIF. Ky do të jetë impianti i dytë i trajtimit të ujërave të zeza që e kanë mbështetur BERZh dhe BE në vend; ndërtimi është planifikuar të fillojë në vitin 2022, në impiantin e Gjilanit.

BERZh ka investuar 545 milionë euro në Kosovë, që kur filloi të operojë në vend në vitin 2012. Prioritetet strategjike të Bankës, në Kosovë, janë promovimi i ekonomisë së gjelbër, mbështetja e zhvillimit konkurrues të sektorit privat dhe përkrahja e integrimit rajonal. /Kosova.info/

Go to TOP