Berisha për IVF-në: Fati i askujt nuk duhet të varet nga bindjet personale të atyre në pushtet
Me nisjen e punimeve të Kuvendit të Kosovës, deputetët pritet të votojë për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor.
Ky projektligj ka nxitur debate, veçanërisht lidhur me një nen i cili ka të bëjë me të drejtën për riprodhim të individëve, përveç çifteve të martuara.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk do të duhej që fati i askujt të varet nga bindjet personale të ndonjë individi që ka pushtet të marrë vendime për jetën e të tjerëve.
“Do të duhej të bëhej një analizë se kush janë këta deputetë dhe cilat janë interesat e tyre, nëse janë kaq të vendosur atëherë do ta ndalonin si procedurë edhe nëpër klinikat private, mirëpo në një anë duket sikur ka një interes që disa biznese të mbrohen. Dhe tjetri faktor mund të jetë që këta deputetë për shkak të bindjeve të tyre që vijnë nga normat patriarkale, normat fetare po e keqinterpretojnë tërë këtë ligj dhe po e pamundësojnë që ai të kalojë”, thotë Berisha.