Berisha: Albulena Haxhiu duhet të jap përgjigje rreth paralajmërimeve për arrestime të reja nga Specialja

Disa ditë më parë në media raportua se gjatë këtij muaj pritet që të ketë arrestime të reja nga Dhomat e Specializuara të Hagës, ku numri pritet të arrijë deri në 13 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Brenda këtyre raportimeve nuk janë dhënë emra të personave se kush mund të arrestohet, por as emra të zonave të luftës se nga këta persona mund të jenë.

Rreth këtyre raportimeve por edhe për qëndrimin e qeverisë karshi veprimeve të Specialës, ish-komandati i UÇK-së në Koshare, Hisen Berisha, që aktualisht është deputet i PDK-së tha se, qëndrimi i qeverisë veç dihet tashmë, ku duke komentuar edhe vizitën e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, në Hagë, vizitë të cilën, tha se e njëjta është hipokrizi, sepse sipas Berishës, kjo vizitë është dashur të realizohet pasi ministrja t’i kërkonte falje ish-krerëve të UÇK-së që janë në Hagë.

“Qëndrimet e qeverisë aktuale në raport me dhomat e Specializuara dihen tashmë. Nga vizita e fundit që ministrja e Drejtësisë që ishte tërësisht hipokrizi dhe e pa dinjitetshme, sepse për me mujt me i vizituar ata që po mbahen atje së pari është dashtë të bëhet një kërkim falje, për deklarimet dhe etiketimet që u janë bërë atyre ende pa shkuar atje, por edhe pasi kanë shkuar atje. Pa e bë këtë kërkim falje është hipokrizi me supozuar se po shqetësohen dhe po shkojnë atje që po preokupohen”, tha ai.

Tutje, ai këto paralajmërime i ka quajtur si konspiracion dhe se këto konspiracione, sipas Berishës duhet parë me dyshim. Ai shkoi edhe me tej, duke thënë se këto paralajmërime janë krijuar nga vetë institucionet dhe se përgjigjen duhet ta jap vetë Ministrja e Drejtësisë.

“Sa i përket thashethemeve zyrtare, tashmë publike, një konspiracion publik se po flitet se do të ketë edhe të arrestuar të tjerë, atëherë unë e kam shprehur edhe në debatin parlamentar por edhe në media se vizita e Ministres së Drejtësisë në Hagë, takimi i saj me kryesuesen e Dhomave të Specializuara, pastaj rritja e numrit të policëve të EULEX-it, edhe pse EULEX-it i ka përfunduar mandati në vitin 2018, duhet parë me dyshim. Këto janë hamendësime që i kanë krijuar vetë institucionet , dhe unë mendoj që përgjigjen zyrtare duhet ta jap vetë ministrja e Drejtësisë dhe mekanizmat që e mbështesin Tribunalin Special në Hagë”, shtoi Berisha.

Tutje, deputeti nga PDK, ka shtuar se Dhomat e Specializuara janë skandaloze, dhe se për këtë qeveria e Kosovës, duhet të reflektojë dhe të jetë korrekte, duke rishqyrtuar statusin e kësaj Gjykate.

“Zgjerimi i aktakuzës, që faktikisht është akuzë e re, sepse janë gjetje të reja, e që në procedurë është shkelje, sepse ndryshimet ose aktakuza të reja mund të vijnë vetëm pas përfundimit të një gjykimi. Kjo tregon që ka shkelje procedurale, dhe nëse e krahasojmë me Tribunalin e krimeve të luftës për ish-Jugosllavinë, këto dhoma janë skandaloze. Por unë mendoj që qeveria tash duhet të reflektojë në këtë drejtim. Jo me deklarata populiste, por qeveria duhet të jetë korrekte në këtë drejtim dhe ta rishqyrtoj statusin e kësaj Gjykate dhe Kuvendit të ja kthej legjitimitetin për të pas pushtet mbi këto Gjykatë”, vijoi tutje ai.

Ish-komandanti i UÇK-së, u shpreh se këto paralajmërime për arrestime të reja, nuk janë paralajmërimet e para dhe se raportimet e tilla janë ndihmuar edhe më shumë nga, siç tha ai, njerëz të papërgjegjshëm.

“Ju e shihni që janë të involvuar edhe shërbimi serb, e patë çështjen e Dick Martyt. Ka pasur konspiracione të ndryshme jo do të arrestohen 100, jo 10, këto deklarata i kanë ndihmuar edhe partitë e papërgjegjshme, edhe personalitete të papërgjegjshme por edhe analistë që s’kanë përgjegjësi, edhe mediat që nuk janë të konfirmuara nga shteti. Prandaj ne duhet me pas kujdes kur flasim përmes mediave, sepse këto trillime, konspiracione se kush do të arrestohet, kur do të arrestohet kanë qarkulluar vazhdimisht”, përfundoi Berisha.

Kujtojmë se që nga themelimi i Gjykatës Speciale, deri tash janë arrestuar tetë persona, të cilët janë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Kransiqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Sali Mustafa. 

Go to TOP