BE nuk dërgon mision vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit, Presidenca: Nuk ka pasur injorim të ftesës

Zyra e Presidentes ka reaguar ndaj raportimeve të fundit lidhur me vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit duke sqaruar se ftesa drejtuar Bashkimi Evropian nuk është injoruar.

Sipas njoftimit zyrtar, Presidenca ka pranuar përgjigje nga BE-ja, në të cilën theksohet se për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve, nuk është i mundur dërgimi i një Misioni Vëzhgues të Zgjedhjeve apo i një Misioni të Ekspertëve Zgjedhorë.

Megjithatë, në të njëjtën përgjigje bëhet e ditur se BE-ja po shqyrton dhe koordinon një prani ndërkombëtare në ditën e zgjedhjeve, përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, shteteve anëtare dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë të pranishëm në vend.

“Paraqitja e kësaj çështjeje si ‘injorim’ i kërkesës së u.d. Presidentes është e pasaktë dhe nuk pasqyron përmbajtjen e komunikimit zyrtar ndërmjet institucioneve”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Tutje theksohet se ftesa e u.d. Presidentes për BE-në është bërë në funksion të rritjes së transparencës, besueshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor.

Zyra e Presidentes nënvizon se kjo mbetet qasja institucionale e Republikës së Kosovës: organizimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, të monitoruara sa më gjerësisht nga partnerët ndërkombëtarë.

Në fund, Presidenca mirëpret praninë e Zyrës së BE-së në Kosovë, të shteteve anëtare dhe të organizatave të tjera të akredituara për vëzhgimin e zgjedhjeve duke ritheksuar interesin që procesi i 7 qershorit të zhvillohet në përputhje me standardet demokratike. /Kosova.info/


Go to TOP