Sveçla si gjithëherë, i merr meritat për aksionin “Brezovica” të zhvilluar nga drejtësia
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka “vrapuar” t’ia lë meritat Qeverisë së Kosovës për aksionin “Brezovica” që sot rezultoi në konfiskimin e disa pronave atje.
Sveçla me anë të një postimi në Facebook ka thënë se ekziston vendosmëri për zbatimin e ligjit.
Madje ai ka paralajmëruar edhe aksione tjera, ndonëse informata të tilla konsiderohet se nuk duhet të jepen në publik.
“Lufta jonë ndaj krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme me të gjitha angazhimet e plota të organizmave tanë institucional në mbrojtjen efektive të së përbashktës”, ka shkruar Sveçla.
Postimi i plotë i tij:
Përgëzoj Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe të gjitha institucionet tjera për realizimin e suksesshëm të aksionit të radhës në luftën e pakompromis ndaj krimit, korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, në aksionin ‘Brezovica’ pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Jemi te vendosur që të zbatojmë maksimalisht ligjin dhe të gjithë shkelësit e keqpërdoruesit të vendosen para drejtësisë dhe organeve kompetente.
Lufta jonë ndaj krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme me të gjitha angazhimet e plota të organizmave tanë institucional në mbrojtjen efektive të së përbashktës.


