Basha pas vendimit të Apelit për vulën: Shqipëria meriton më shumë

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, reagoi sot ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit e cila vendosi t’i japë vulën e partisë së Berishës, ndërsa u pyet nga gazetarët para mbledhjes së Kryesisë.

Basha u shpreh se nuk komenton vendimet e gjykatave, por ajo që e lidh me njerëzit nuk janë titujt apo karriget. “Shqipëria meriton më shumë dhe do të ketë më shumë”, theksoi ai.

“Ky është dhe një standard i mi, i yni si Parti Demokratike, për të cilin kemi deklaruar që do të përmbahemi edhe në rastin e vendimit të gjykatës së Apelit. Ajo që dua t’u them shumë mbështetësve, demokratëve, por dhe qytetarëve që janë mërzitur me këtë vendim, e vetkuptueshme që janë të mërzitur se prisnin një vendim tjetër, është t’iu them mos të mërziten, mos të dëshpërohen”, u shpreh Basha.

Në fund të fundit, vijoi ai, “këtë betejë as nuk e kemi nisur dhe as nuk e vazhdojmë për logo, për vulë apo për karrige”.

“Jemi bërë bashkë për diçka shumë më të madhe. Kjo është një betejë shpritërash të bashkuar për idealet e dhjetorit, me të cilat ka lindur Partia Demokratike e Shqipërisë. Për idealet e atyre të cilët u flijuan në rezistencën antikomuniste. Për të përndjekurit politik, për pronarët, për shtresën e mesme shqiptare, për familjet shqiptare dhe sot është më e qartë se kurrë që Shqipëria meriton ndryshe, meriton më mirë, meriton më shumë. Ndaj ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë dhe nuk kemi pak në dorë, që mos ta shpërdorojmë këtë besim shpirtrash, qindra e mijëra njerëz që besojnë në një të ardhme më të mirë për vendin, por të vazhdojmë betejën tonë, të vazhdojmë përpjekjet tona për një Shqipëri të mirë”, u shpreh Basha.

Në lidhje me hapat e mëtejshëm, Basha tha se vendimet do të diskutohen.

“Të gjitha vendimet që do të marrim do të jenë në përputhje me atë angazhim që kemi marrë me qindra, mijëra demokratëve, synimi kryesor i të cilëve është largimi i një ore më parë i kësaj qeverie dhe hapja e perspektivës të një Shqipërie që meriton shumë më shumë se sa ç’ka sot”, theksoi Basha.

“Nuk e kam ndjerë asnjëherë veten ndryshe për shkak të titujve dhe ofiqeve. Kam qenë Lulzim Basha para se të hyja në politik, jam Lulzim Basha sot dhe do të jem në çfarëdo pozite tjetër. Ajo që më lidh me njerëzit, nuk është titulli, ofiqi, karrigia apo logo, por është përkushtimi ndaj një Shqipërie më të mirë që meriton më shumë dhe do të ketë më shumë”, tha ai.

“Do të bëjmë gjithçka qe kemi në dorë, të vazhdojmë betejën tonë për një Shqipëri më të mirë”, përfundoi Basha.

Go to TOP