Basha inspekton punimet në aksin Kijevë-Zahaq, kërkon mirëkuptim për vonesa

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve në rrugën Kijevë–Zahaq, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor në vend. Punimet intensive në këtë segment po shkaktojnë pengesa dhe vonesa të përkohshme për ngasësit, banorët dhe bizneset e zonës.

Një nga pikat që aktualisht po ndikon në qarkullim është bajpasi te Ura e Dollcit, i krijuar për shkak të minimit të rrugës në atë pjesë. Sipas inxhinierëve të operatorit ekonomik, kjo nyje pritet të pastrohet brenda shtatë ditësh, çka do të mundësojë rikthimin e qarkullimit në rrugën ekzistuese.

Gjatë vizitës, ministri Basha zhvilloi takime me inxhinierët në të gjitha segmentet e projektit, ku u diskutuan sfidat që po shfaqen gjatë realizimit të punimeve. Sipas vlerësimeve në terren, pritet rritje e intensitetit dhe përmirësim i dinamikës së punimeve në vijim.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim lidhur me pengesat e përkohshme, duke theksuar se mbetet e përkushtuar për të adresuar sfidat në kohë dhe për të përfunduar sa më shpejt këtë rrugë të rëndësishme. /Kosova.info/

Go to TOP