Baraliu kritikon qëndrimin mbi tarifat: Heqja e taksës, veprim diplomatik e jo çështje financiare

Analisti politik, Bleron Baraliu, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve për mbajtjen e tarifave në tregtinë ndërkombëtare të Kosovës.

Në një postim publik, Baraliu ka ironizuar argumentet që lidhin heqjen e tarifave me një domosdoshmëri financiare duke theksuar se një veprim i tillë do të kishte ndikim strategjik dhe diplomatik më shumë sesa ekonomik. Ai kritikoi idenë se tregtia e lirë duhet të kushtëzohet vetëm përmes marrëveshjeve specifike duke vënë në pah se eksporti amerikan në Kosovë është shumë i vogël për ta justifikuar një qasje të tillë burokratike.

“Heqja e taksës do të ishte gjest i rëndësishëm taktik e diplomatik, jo çështje financiare. Kosova duhet të mos ketë tarifa fare ose të zbatojë tarifa reciproke, siç ka vendosur së fundmi Amerika. Çdo gjë tjetër është politikë regresive dhe proteksioniste që dëmton qytetarët,” ka shkruar ai.

Baraliu ka kritikuar ashpër ata që mbështesin tarifa të njëanshme duke i quajtur qasje të gabuara që pengojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me partnerët ndërkombëtarë. /Kosova.info/


Go to TOP