Bajrami: Vetëvendosje e ka kapur sektorin e energjisë dhe ka hapur rrugë për mafinë energjetike
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet në sektorin e energjisë duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për kapje institucionale dhe favorizim të interesave të dyshimta në këtë fushë jetike.
Bajrami ka ftuar qytetarët të dëgjojnë “me zë dhe me figurë” deklarimet e ish-zyrtarit të lartë të Vetëvendosjes, Berat Lahu, i cili, sipas saj, shpjegon hap pas hapi mënyrën se si ka vepruar kjo parti në sektorin e energjisë, përfshirë procesin e zgjedhjes së kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe krijimin e kushteve për atë që ajo e quan “mafie energjetike”.
Sipas Bajramit, kryeministri Albin Kurti dhe, siç u shpreh ajo, “nëntoka e Vetëvendosjes”, kanë zgjedhur në pozita kyçe njerëz të dëgjueshëm e jo profesionistë duke politizuar ZRRE-në dhe duke e kthyer atë në instrument të interesave partiake.
Ajo theksoi se një fakt shqetësues është edhe licencimi për herë të parë në Kosovë i kompanisë EFT, e lidhur me biznesmenin Vuk Hamoviq, i cili sipas saj ka ndodhur në vitin 2021, pikërisht gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.
“Energjetika është sektor strategjik për vendin dhe nuk guxon të shndërrohet në terren të pazareve politike dhe ekonomike,” ka deklaruar Bajrami duke kërkuar transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale për të gjitha vendimet e marra në këtë fushë. /Kosova.info/
