Bajrami sfidon ZRRE-në: Jeni në shërbim të qeverisë dhe mafisë energjetike
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) duke e akuzuar se është vënë në shërbim të qeverisë dhe të ashtuquajturës “mafi energjetike”.
Bajrami kujtoi se vetë ZRRE në dokumentin e miratuar në nëntor 2024 kishte konstatuar se “tregu i energjisë elektrike me shumicë dhe pakicë shfaq mungesë konkurrence dhe përqendrim të lartë” duke pyetur publikisht nëse rregullatori mund ta mohojë këtë fakt.
Ajo gjithashtu përmendi një takim të mbajtur më 12 maj 2025 në zyrat e ZRRE-së, ku sipas saj, zyrtarët e rregullatorit kishin pranuar se “e vetmja mënyrë për t’i mbajtur bizneset në shërbimin universal të energjisë ka qenë ndarja e 50 milionë eurove subvencion nga Qeveria” – gjë që nuk ka ndodhur.
“Pra, nuk është në pyetje ligji, por mungesa e kushteve që ju vetë keni konstatuar se nuk janë krijuar. Sot represionin ndaj bizneseve e keni shitur si sukses”, tha Bajrami duke akuzuar se rritja e çmimeve dhe kontratat e detyruara me operatorë privatë janë në dëm të ekonomisë dhe qytetarëve.
Ajo ftoi publikisht kryetarin dhe bordin e ZRRE-së në një studio televizive, për të debatuar mbi liberalizimin e tregut, ekskluzivitetin që sipas saj e kanë kompanitë NOA dhe EFT e Vuk Hamoviqit, si dhe mbi zbatimin e ligjit edhe në katër komunat veriore.
“Ligji nuk është tavolinë suedeze”, u shpreh Bajrami duke theksuar se veprimet e ZRRE-së do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe qytetarët. /Kosova.info/
