Bajrami: Pezullimi i tenderit 137 milionësh në KEK, manovër për të mbuluar skemën korruptive

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj pezullimit të tenderit në vlerë prej 137 milionë eurosh për “Rehabilitimin dhe Modernizimin e Njësisë A3” në Termocentralin Kosova A. Ky tender, që ka qenë objekt dyshimesh për muaj të tërë për mënyrën e zhvillimit të tij, është pezulluar një ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e ofertave.

Sipas Bajramit, ky veprim nuk është përgjegjës, por i qëllimshëm për të mbuluar një skemë të mundshme korruptive. Ajo rendit një sërë faktesh që, sipas saj, dëshmojnë manipulime dhe mungesë totale të transparencës:

Mungesa e fizibilitetit dhe përshkrimit teknik duke lënë operatorët pa informacion të qartë për kërkesat e punimeve.

Ndryshimet e vazhdueshme në afate dhe procedurat e korrigjuara që kanë krijuar hapësirë për dyshime të mëdha.

Model i dyshimtë i prokurimit: tenderi i shpallur si i hapur, por me negociata me vetëm gjashtë operatorë, pa paraparë penalizime në rast të mosrealizimit të punimeve.

Rëndësia strategjike e njësisë A3 për sigurinë energjetike, pasi ajo mbulon rreth 10% të nevojës për energji në vend.

Ajo ngriti edhe disa pyetje serioze në lidhje me vendimin për pezullim:

1. Pse u pezullua pikërisht në momentin e fundit?

2. A po tentohet të fshihet ndonjë shkelje ligjore?

3. A po u jepet kohë kompanive të favorizuara për të ndryshuar ofertën?

4. Pse u fshinë nga sistemi ofertat tashmë të dorëzuara?

5. Nëse procesi është i dyshimtë, pse nuk u anulua plotësisht tenderi?

Bajrami theksoi se ky pezullim është vetëm “manovra e radhës” që hap rrugë për rishpalljen e tenderit me të njëjtat probleme dhe përfitues të dyshimtë. Ajo kërkoi anulimin e plotë të tenderit dhe hetim të të gjithë aktorëve të përfshirë.

“Në një kohë kur qytetarët po paguajnë çmime të larta për importin e energjisë, ndërsa fitimet e tregtarëve po rriten në mënyrë eksponenciale, skemat e tilla duhet të ndalen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë,” përfundoi deputetja Bajrami. /Kosova.info/


Go to TOP