Bajrami: Kurti e sheh drejtësinë si tavolinë suedeze – merr çka i duhet, refuzon çka nuk i pëlqen

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Vetëvendosjes ndaj institucioneve të drejtësisë në vend.

Ajo tha se sa herë që Gjykata Kushtetuese, gjykatat e rregullta apo Prokuroria vendosin në favor të Kurtit dhe VV-së, ato lavdërohen si institucione të ligjshmërisë dhe rendit. Por, sipas saj, kur këto organe marrin vendime që cenojnë interesat e tyre, menjëherë shpallen të korruptuara, të politizuara dhe madje edhe si “vegla të Serbisë”.

Bajrami solli si shembull rastin e Prokurorisë me aferat “Pronto” dhe “Zdravo”. “Prokuroria konsiderohet e pavarur vetëm kur merret me rastin ‘Pronto’, ndërsa kur trajton aferën ‘Zdravo’ të dyshes Kusari–Radojiçiq, diskreditimi është i menjëhershëm”, tha ajo.

Ajo reagoi edhe ndaj paraqitjes së Kurtit në gjykatë në cilësinë e viktimës në një rast të kanosjes. “Veç paramendoni makinerinë e Kurtit dhe VV-së dhe sa kërcënime e kanosje u kanë bërë të tjerëve! Ai po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale”, u shpreh Bajrami.

Sipas saj, Kurti mban “jashtëligjshëm pozitën e Kryeministrit në detyrë” dhe drejtësinë e sheh si “tavolinë suedeze: merr çka i duhet dhe refuzon çka nuk i pëlqen”.

Deputetja e LDK-së theksoi gjithashtu se Kurti ka refuzuar dhe injoruar thirrjet e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.

“Problemi më i madh nuk janë vetëm sfidat socio-ekonomike që po i kalon vendi, por denigrimi i institucioneve të drejtësisë. Ata që i dëmtojnë këto institucione duhet të ndëshkohen me votë”, përfundoi Bajrami. /Kosova.info/


Go to TOP