​Ambasada e Shqipërisë hap librin e ngushëllimeve për regjisorin Anagnosti

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë ka hapur librin e ngushëllimeve në nderim të regjisorit të madh Dhimitër Anagnosti, i cili u nda nga jeta më 1 shtator.

Në fjalën e tij, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, theksoi se humbja e Anagnostit përbën një goditje të madhe për kulturën dhe shoqërinë shqiptare.

“Shoqëria shqiptare, kineastët, aktorët, populli shqiptar ka humbur një prej korifejve, një prej atyre që e qëndisnin filmin shqiptar. Ai ishte një metodist i mirëfilltë, një regjisor shkolle plot art kinematografik. Mbi të gjitha, kemi humbur personin i cili sillte në ekran karakterin e plotë të shqiptarëve. Me filmat e tij, ai zbërthente jetën shqiptare në tërë koloritin e vet dhe e përcillte shkëlqyeshëm te publiku. Filmi i tij ka ushtuar fort,” tha Malaj.

Dhimitër Anagnosti mbetet një nga figurat më të mëdha të kinematografisë shqiptare, i njohur për veprat e tij që pasqyruan jetën, shpirtin dhe karakterin e shqiptarëve në ekranin e madh. /Kosova.info/


Go to TOP