Bajrami: Hekuran Murati nxori udhëzim kundër monopolit vetëm pasi i përfundoi mandati, le të përgjigjet para drejtësisë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj ish-ministrit të Financave, Hekuran Murati duke e akuzuar se për katër vjet e ka mbështetur monopolin e arkave fiskale dhe vetëm pas përfundimit të mandatit ka vendosur të nxjerrë një udhëzim administrativ për digjitalizimin e tyre.

“Hekuran Murati e ka marrë mandatin më 22 mars të vitit 2021 dhe vetëm pasi e ka përfunduar mandatin e plotë 4-vjeçar si ministër ka vendosur të nxjerrë një udhëzim administrativ, siç thotë ai, kundër monopolit të arkave fiskale. Hekuran, mos derdh lot krokodili, sepse askush më shumë se ti nuk e ka ndihmuar këtë monopol – katër vjet veç i ke këqyrë seri,” shkroi Bajrami.

Ajo theksoi se digjitalizimi i fiskalizimit është i domosdoshëm dhe duhej të ndodhte shumë më herët gjatë mandatit të Muratit si ministër.

LDK-ja, sipas Bajramit, ka ngritur që nga fillimi shqetësimin se qeveria aktuale po vepron në mënyrë të paligjshme duke përmendur se “nuk mund të jesh edhe ministër edhe deputet”, ashtu siç tashmë është konstatuar edhe nga Gjykata Supreme.

“Pas këtij aktgjykimi/sqarimi të Gjykatës Supreme, i bëj thirrje Prokurorisë Speciale t’i trajtojë kallëzimet penale të LDK-së kundër deputetëve të Vetëvendosjes dhe t’i nxjerrë para drejtësisë, prej deputetit Kurti e teposhtë”, deklaroi Bajrami.

Ajo gjithashtu kërkoi që Agjencia Kundër Korrupsionit të hetojë rastet e konfliktit të interesit, përfshirë përdorimin e pasurisë së shtetit në mënyrë të paligjshme nga zyrtarët që mbajnë njëkohësisht pozita legjislative dhe ekzekutive.

“Çdo vendim i Qeverisë i nxjerrë nga deputetët, përfshirë Kurtin, është i kundërligjshëm dhe rrjedhimisht duhet të jetë subjekt i hetimit penal,” përfundoi Bajrami. /Kosova.info/


Go to TOP