Bajrami e quan të papranueshme kërkesën e KE-së që Mali i Zi e Maqedonia t’i vendosin viza Kosovës
Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, e ka quajtur të papranueshme dhe shqetësuese kërkesën e Komisionit Evropian, që Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut të vendosin regjim vizash ndaj Kosovës.
Këtë reagim, ambasadori kosovar, e ka bërë përmes një postimi në ‘Twitter’.
“Absolutisht e papranueshme që Komisioni Evropian e ka renditur Kosovën si një nga vendet e treta, ndërsa ka kërkuar që Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut të prezantojë viza për të”, ka shkruar Bajrami.
“Veçanërisht bëhet më shqetësuese pasi Kosovës me vite iu mohua #VisaLIb [liberalizimi i vizave]! Dyfish, e gjithë kjo vjen pas marrëveshjeve të Procesit të Berlinit”, ka deklaruar tutje ambasadori Bajrami.
Komisioni Evropian iu ka rekomanduar Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut që të rregullojnë politikat e vizave në linjë me ato të Bashkimit Evropian në raportin e fundit.

