Krasniqi: Harresa e rrugës drejt pavarësisë është rrezik për Kosovën

Veprimtari i çështjes kombëtare, Milazim Krasniqi ka kritikuar ashpër klasën politike në Kosovë duke thënë se institucionet dhe partitë po merren me tema margjinale, ndërsa po harrohet rruga e gjatë dhe e vështirë që çoi vendin drejt lirisë dhe pavarësisë.

Në një shkrim të gjatë, ai rikujton nëntë etapat kryesore të lëvizjes shqiptare për çlirim dhe pavarësi gjatë periudhës 1945–2008 duke nisur nga rezistenca e armatosur kundër pushtetit serbo-jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore, demonstratat e vitit 1981, përplasjet politike e kulturore të fundviteve ’80, formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpalljen e Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990, miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut, referendumin e vitit 1991, zgjedhjet e vitit 1992, luftën e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s, deri te shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Krasniqi thekson se secila prej këtyre etapave u zhvillua nën represionin serb dhe presionin ndërkombëtar, por u mbajt gjallë nga vizioni për shtetin e Kosovës. Sipas tij, pavarësia ishte rezultat i një rruge të gjatë politike, diplomatike dhe ushtarake, e jo i zhvillimeve të rastësishme.

Në përfundim, ai bën thirrje që kjo histori të mos harrohet dhe të mos keqpërdoret për interesa politike duke theksuar se rruga drejt pavarësisë duhet të nderohet, të ruhet dhe të shërbejë si udhërrëfyes për të ardhmen e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP