Bajrami akuzon Kurtin dhe Muratin për shkelje të Ligjit: Emërimi i drejtorit të Doganave bie ndesh me Nenit 31 të Ligjit për Qeverinë
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për riemërimin e drejtorit të Doganave së Kosovës për një mandat të dytë katërvjeçar. Ajo ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin e Financave Hekuran Murati për shkelje të hapur të Nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, që kufizon kompetencat e qeverisë pas dorëheqjes.
“Nuk kaluan as 24 orë nga momenti kur Hekuran Murati iu referua Nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, dhe bashkë me Albin Kurtin e shkelën pikërisht këtë nen,” shkroi Bajrami në një reagim publik.
Sipas nenit të përmendur, qeveria në dorëheqje nuk ka të drejtë të nisë procedura të reja për emërime në pozita publike për të cilat ka kompetencë në bazë të ligjeve përkatëse. Bajrami i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të merren seriozisht me këtë rast duke e konsideruar si një shkelje flagrante të ligjit dhe normave të qeverisjes demokratike.
“Kjo është një tjetër dëshmi e kapjes së shtetit dhe mosrespektimit të institucioneve e ligjshmërisë. Organet e drejtësisë duhet të ndërhyjnë dhe të parandalojnë precedentët e tillë të rrezikshëm,” përfundoi ajo. /Kosova.info/
