Bajrami akuza të ashpra ndaj Kurtit: kryeministri është kryemashtrues dhe i përfshirë në korrupsion

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave dhe shpifjeve që ajo pretendon se vijnë nga zyrtarët e afërt me kryeministrin Albin Kurti.

Në një postim publik, Bajrami ka mohuar çdo përfshirje në rastin e vitit 2019, që lidhet me biznesmenin turk Bahadir Aksoy duke theksuar se në atë periudhë ajo ishte deputete e opozitës dhe nuk kishte asnjë rol ekzekutiv.

Ajo ka akuzuar Kurtin për hipokrizi, duke përmendur se ky i fundit ka takuar vjehrrin e Bahadir Aksoy, Ahmet Çalikun, pavarësisht nga dënimi të këtij të fundit për korrupsion. Bajrami gjithashtu ka ngritur akuza ndaj kryeministrit për mbështetje të heshtur ndaj zyrtarëve të përfshirë në krime dhe korrupsion, si Martin Berishaj, Nagip Krasniqi dhe të tjerë.

“Pa asnjë dyshim, Kryeministri Kurti është kryemashtruesi. Ai ka qenë dhe është në dijeni prej ditës së parë për gjithë krimin dhe korrupsionin që është zhytë Qeveria e tij,” ka deklaruar ajo.

Bajrami ka vënë në dukje se të gjitha dëmet e lidhura me rastin “Universal Foods” janë kompensuar nga Thesari i Republikës së Kosovës dhe se akuzat ndaj saj janë një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga skandalet aktuale të Qeverisë Kurti.

Ajo ka përfunduar duke theksuar se e vërteta nuk mund të heshtet, pavarësisht nga përpjekjet për shpifje dhe manipulim publik. /Kosova.info/

Go to TOP