Bajra: Është koha për një qasje të drejtë në çmime, fitimi deri në 100% është i papranueshëm

Profesori universitar Ujkan Bajra ka bërë thirrje për një logjikë të drejtë të çmimeve, duke marrë si shembull qasjen e konsumatorëve në Kroaci. Ai thekson se rritja e çmimeve duhet të ketë një kuptim ekonomik dhe të mos kthehet në abuzim.

Duke iu referuar të dhënave të ATK-së, Bajra ka nënvizuar se qarkullimi vjetor i bizneseve në Kosovë për vitin 2024 arrin në 21.2 miliardë euro, ose rreth 60 milionë euro në baza ditore. Nga kjo, një fitim minimal neto mund të jetë rreth 2.13 miliardë euro në vit ose 10 milionë euro në ditë.

Sipas tij, nuk bëhet fjalë për dëmtimin e biznesit, por për ndjekjen e një modeli më të drejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik. Ai e konsideron të papranueshëm fitimin deri në 100% mbi kostot dhe apelon që bizneset të pranojnë një normë fitimi të arsyeshme prej 15-20%, duke ulur çmimet dhe rritur qarkullimin për përfitime më të mëdha në afatgjatë. /Kosova.info/


Go to TOP