Azemi: KEDS-i po dënon qytetarët, jo vetëm me faturat, por edhe me fshehjen e provave

Sekretari organizativ i LDK-së, Visar Azemi, ka reaguar sërish lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë dhe gjobitjen e operatorit energjetik KEDS nga Ministria e Industrisë.

Sipas Azemit, edhe gjatë ditës së sotme KEDS është gjobitur me 35 mijë euro për, siç e quan ai, “vjedhjen me njehsorët elektrikë”, por ka theksuar se kjo masë nuk përbën drejtësi për qytetarët e dëmtuar.

“Qytetarët janë dëmtuar me miliona euro dhe askush nuk po flet për kthimin e këtyre parave”, ka deklaruar ai.

Azemi ka akuzuar KEDS-in se, në vend të ruajtjes së provave, ka vazhduar me ndërrimin e njehsorëve elektrikë duke pretenduar se në këtë mënyrë po fshihen dëshmitë e rastit.

Ai ka përmendur edhe vendosjen e njehsorëve të rinj të prodhimit kinez duke e cilësuar këtë si përpjekje për “mbylljen e skandalit”.

Sipas tij, lajmi pozitiv është se Prokuroria tashmë është duke u marrë me rastin, por ka insistuar se qytetarët kanë nevojë për drejtësi konkrete dhe kthim të mjeteve të humbura.

“Paratë duhet të kthehen cent më cent”, ka përfunduar Azemi. /Kosova.info/


Go to TOP