Avdullah Hoti përkthen “Ekonomiksi”-n e nobelistëve: Librin ua dedikoj prindërve të mi

sh-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar në Facebook se libri “Ekonomiksi” i nobelistëve Paul Samuelson dhe William Nordhause, i përkthyer nga ai, do të jetë shumë shpejt i botuar në gjuhën shqipe.

Hoti, i cili është edhe profesor, ka thënë se pret me padurim që në vjeshtë t’u ligjërojë studentëve lëndën e ekonomiksit me librin e ri, i cili, sipas tij, përdoret në universitetet më të njohura ndërkombëtare.

Librin e botuar, Hoti ka shkruar se ua dedikon prindërve të tij.

Hoti shkruan:

Të dashur miq, studentë, kolegë mësimdhënës dhe adhurues të librit,

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se së shpejti do të jetë në dispozicion në gjuhën shqipe libri “Ekonomiksi”, i nobelistëve Paul A. Samuelson dhe Ëilliam D. Nordhause. Libri përfshinë një hyrje në shkencën e ekonomiksit, mikroekonomiksin dhe makroekonomiksin. Për më shumë se gjysmë shekulli, ky libër ka shërbyer si përcaktues i standardeve për mësimin e eko-nomiksit në Amerikë dhe në mbarë botën. Dhe tani është në dispozicion në gjuhën shqipe.

Ky botim, përveç trajtimit modern të mikroekonomiksit dhe makroekonomiksit, përmban tema tepër të rëndësishme që trajtojnë në mënyrë shkencore zhvillimet e fundit, si:

– ekonomiksi i ambientit, që merret me menaxhimin e ndotjes së ambientit dhe tregtimit të lejeve ambientaliste si forma më efikase e kostimit të eksternaliteteve negative,

– trajtimi i mallrave publike globale në një botë komplekse,

– ekonomiksi i sigurimeve, që trajton metodat e diversifikimit të riskut si formë për evitimin e dështimeve të tregut,

– ekonomiksi i zhvillimit, që studion problemet ekonomike të vendeve në zhvillim dhe menaxhimin e resurseve për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm,

– trajtimi rigoroz shkencor i ndryshimeve në politikat monetare në përballje me dinamikën dhe inovacionet në tregjet financiare ndërkombëtare etj.

Risia në këtë botim është ndërlidhja e tekstit të librit me materiale dhe të dhëna që ofrohen në internet për të lehtësuar të kuptuarit e materialit të librit. Shembujt që ofrohen në këtë botim janë nga zhvillimet e fundit dhe nga të gjitha rajonet e botës, duke i ofruar lexuesit një perspektivë globale në trajtimin e temave të ekonomiksit.

Nga shtatori 2022, libri do të jetë në dispozicion të studentëve të të gjitha drejtimeve të shkencave ekonomike, si dhe të atyre nga shkencat e tjera që duhet të kryejnë kurse nga ekonomiksi. Libri është tepër i dobishëm edhe për ata që duan të mësojnë si funksionon tregu modern kombëtar dhe global.

Përmes shtëpisë botuese, në vjeshtë organizohen sesione prezantuese të libri në Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Tiranës, Universitetin e Tetovës, si dhe në universitete të tjera që shprehin gatishmëri për ofrimin e këtij libri për studentët e tyre. 

Pres me padurim që në vjeshtë t’u ligjëroj studentëve ekonomiksin bazuar në një libër si ky, i cili përdoret në universitetet më të njohura ndërkombëtare.

Falënderoj librarinë ndërkombëtare “Educational Centre Kosova” për sigurimin e të drejtave autoriale për përkthim, shtypjen dhe shpërndarjen e librit, recensentët dhe kolegët e shumtë me të cilët e kam diskutuar përmbajtjen e librit gjatë shumë muajve të përkthimit, si dhe kolegët që më kanë ndihmuar në përkthim.

Këtë libër ua dedikoj prindërve të mi.

Go to TOP