AUV tërheq nga tregu disa produkte ushqimore për foshnje – APTAMIL
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar se ka tërhequr nga tregu disa produkte të “qumështit formulë për foshnje” të markës APTAMIL, të prodhuara në Gjermani, Holandë dhe Irlandë pasi dyshohet për praninë e toksinës Cereulide në to.
“Njoftimet zyrtare nga RASFF janë: njoftimin me nr. 2026.0663, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulën për foshnje të prodhuar në Gjermani, njoftimin nr. 2026.1018, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në produktet e prodhuara në Holandë si dhe njoftimi nr 2026.1017, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulat për foshnje dhe në formulat për qëllime mjekësore të prodhuara në Irlandë,” thuhet në njoftim.
AUV u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që të ndërpresin menjëherë shitjen e këtyre produkteve, ndërsa konsumatorët që posedojnë produkte të tilla të mos i përdorin ato dhe t’i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë edhe më 26.01.2026, kishte kërkuar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit Aptamil AR2, që përdoret si ushqim për foshnje.
Sipas AUV-it, në këtë produkt është identifikuar prania e substancës Cereulide e cila është toksike (toksinë) që prodhohet nga disa lloje të bakterit “Bacillus cereus“, i cili është i lidhur me helmimet ushqimore.
“Duke qenë se niveli i rrezikut është vlerësuar serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në bashkëpunim me kompaninë importuese, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit, APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje, paketimi, ENG 24 x 400 gr. Prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone), importues në Kosovë: UNION SH.P.K., Vushtrri”, thuhet në komunikatën e AUV-it më 26.01.2026. /Kosova.info/

