Autoriteti i Konkurrencës refuzon ftesën e LDK-së për takimin e 21 majit

Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës ka njoftuar opinionin publik dhe mediat se nuk do të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar për datën 21 maj 2025, i organizuar nga znj. Hykmete Bajrami në emër të “Grupit LDK”. Takimi kishte për qëllim diskutimin me komunitetin e biznesit, ZRrE-në dhe deputetë të Kuvendit për çështjen e kalimit të bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike.

Vendimi për mospjesëmarrje, siç theksohet në deklaratën zyrtare të Autoritetit, është bazuar në mandatin kushtetues dhe ligjor që garanton pavarësinë institucionale të tij duke përjashtuar përfshirjen në iniciativa apo formate me natyrë politike jashtë kornizës zyrtare shtetërore. Sipas nenit 21 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, theksohet se Autoriteti është “agjenci e pavarur, që për punën e vet i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe ndalohet çdo ndërhyrje apo pjesëmarrje që mund të cenojë këtë pavarësi.

Autoriteti potencoi se situata aktuale në Kuvend, ku nuk është konstituuar ende me rregulla të plota, nuk i krijon kushte për pjesëmarrje në takime të thirrura nga grupe apo deputetë individualë pa një kuadër zyrtar formal.

Pavarësisht kësaj, Autoriteti shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet shtetërore në çdo kohë dhe rrethanë që i përshtatet mandatit të tij ligjor duke mbetur i përkushtuar për të siguruar konkurrencë të ndershme dhe funksionim të lirë të tregut.


Go to TOP