ATK inauguron Qendrën e re për Shërbim të Tatimpaguesve

Administrata Tatimore e Kosovës sot shënoi inaugurimin e Qendrës për Shërbim të Tatimpaguesve në hapësira të reja, të cilat reflektojnë vizionin e institucionit për një administratë më funksionale, më afër qytetarëve dhe më të orientuar kah nevojat reale të tatimpaguesve.

Në ceremoninë inauguruese, Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, theksoi se kjo qendër është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të institucionit dhe avancimit të cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

Drejtori Hyseni u shpreh se ky investim nuk është vetëm një ndryshim hapësire, por një dëshmi e përkushtimit tonë për të ndërtuar një administratë tatimore moderne, efikase dhe sa më pranë qytetarëve dhe bizneseve. Synimi ynë është që çdo tatimpagues të marrë shërbime më cilësore, më të shpejta dhe më transparente.

Ai shtoi se përmes këtij investimi, ATK synon të forcojë kulturën e shërbimit institucional duke krijuar standarde më të avancuara të komunikimit dhe mbështetjes për çdo tatimpagues.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, vlerësoi angazhimin e ATK-së në avancimin e shërbimeve dhe digjitalizimin e proceseve tatimore duke theksuar rëndësinë e forcimit të institucioneve publike në funksion të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së besimit të qytetarëve.

Ministri Murati theksoi se modernizimi i ATK-së dhe përmirësimi i shërbimeve për qytetarët dhe bizneset janë pjesë e reformave të vazhdueshme që synojnë rritjen e efikasitetit institucional dhe krijimin e një ambienti më të favorshëm ekonomik.

Institucioni i ATK-së mbetet i përkushtuar që shërbimet tatimore të jenë sa më të thjeshta, të kuptueshme dhe lehtësisht të qasshme për qytetarët dhe bizneset. Gjatë vitit të kaluar, përmes platformave elektronike dhe sporteleve fizike, janë ofruar 53,749 shërbime për tatimpaguesit, 18,462 gjendje të përgjithshme, si dhe 92,473 vërtetime tatimore. Nga këto, 67,272 janë lëshuar si e-vërtetime, 22,301 vërtetime nga sporteli, ndërsa 2,900 përmes integrimit të sistemit të ATK-së në platformën e-Kosova duke mundësuar sigurimin e tyre me më shumë lehtësi, si online ashtu edhe në sportel.

Paralelisht me avancimin e shërbimeve, ATK-ja po investon edhe në fuqizimin e kapaciteteve profesionale. Hapja e konkursit për inspektorë dhe mbledhës të borxheve tatimore është pjesë e angazhimit institucional për rritjen e efikasitetit, përmirësimin e fleksibilitetit operacional dhe ndërtimin e një administrate tatimore që u përgjigjet në mënyrë profesionale dhe dinamike zhvillimeve dhe kërkesave të kohës. /Kosova.info/


Go to TOP