Artistët hungarezë të hip-hopit e sfidojnë Qeverinë

“Fidesz është sunduesi! Shpirti ynë po fluturon!” këndon me zë të lartë Krubi, një artist i ri i hop-hopit, në një skenë të ndriçuar nga dritat portokalli. Duke performuar në Sziget, festivalin më të madh veror të muzikës në Budapest, reperi hungarez e puth një marionetë që i ngjan kryeministrit hungarez, Viktor Orban. Puthja u prit me brohoritje të mëdha nga turma.

Krubi, emri i vërtetë i të cilit është Krisztian Horvath, është në mesin e një vale të re të artistëve hungarezë të cilët po e përqafojnë politikën, duke e kritikuar dhe tallur zëshëm Qeverinë e partisë së ekstremit të djathtë, Fidesz.

Për hungarezët e rinj të cilët janë rritur gjatë sundimit 12-vjeçar të Orbanit, muzika dhe koncertet janë bërë vend jetik për t’i shprehur mospajtimet, megjithëse artistët që e kritikojnë Qeverinë përballen me censurë dhe nuk financohen nga shteti.

Në gusht, rreth 400 mijë njerëz – në mesin e tyre shumë të huaj – zbarkuan në ishullin e Budapestit për Festivalin Sziget, ku çmimi i biletave mund të arrijë në 100 dollarë për mundësinë për t’i parë artistët me nam ndërkombëtarë si, Lorde, Billie Elish dhe Machlemore.

Por, larg nga skena kryesore dhe yjet botërore, festivali e ka edhe një përmasë politike. Gjatë paraqitjes së Krubit, turma brohoriti “Fideszi i fëlliqur”, para se reperi ta këndonte njërën prej këngëve më të famshme për një takim seksual të parafytyruar mes kryeministrit të kaluar dhe atij të tanishëm në një tualet publik.

Adhuruesit duke e dëgjuar reperin amerikan Macklemore në festivalin Sziget më 2023.
Adhuruesit duke e dëgjuar reperin amerikan Macklemore në festivalin Sziget më 2023.

Në një skenë tjetër, një këngëtar i bendit të rokut Carson Coma e veshi një fanellë me mbishkrimin: “Homofobët janë homoseksualë”, një kritikë për politikat e Qeverisë për LGBTI-në, sipas të cilave, çiftet e gjinisë së njëjtë e kanë të ndaluar birësimin e fëmijëve. Qeveria i ka luftuar edhe temat rreth LGBT-së në librat për fëmijë dhe adoleshentë, madje duke e bërë detyrim mbështjelljen plastike të librave në librari, që cilësohen si fyese.

Midis paraqitjes së tij në Sziget, Hundred Sins, një DJ i cili del në skenë me maskë, e këndon një këngë për Ukrainën. “Njerëz, për çfarë dreqin po bëni aheng? Njerëzit po vriten në shtetin tonë fqinj”, tha ai, duke iu referuar pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusi, i cili nisi më 2022.

Ai e kritikoi edhe Qeverinë e Hungarisë, e cila i kundërshton sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, refuzon t’i dërgojë armë Ukrainës, dhe vazhdon të ketë marrëdhënie të ngrohta me presidentin rus Vladimir Putin.

Sipas një sondazhi të vitit 2021, i kryer nga kompania e kërkimeve me bazë në Budapest, Median, vetëm 14 për qind të hungarezëve të moshës 18-49 vjeçe do të votonin për partinë Fidesz, krahasuar me 64 për qind të njerëzve mbi moshën 60-vjeçare. Një studim tjetër, gjeti se 33 për qind e njerëzve të moshës 15-29 vjeçe besojnë se Qeveria e tanishme mund të rrëzohet vetëm me dhunë.

Orbani e ka shtrënguar kontrollin mbi media duke shërbyer si kryeministër që nga viti 2010. Sipas Reporterëve pa Kufij, oligarkët e afërt me Qeverinë i kanë nën kontroll 80 për qind të mediave hungareze, përmes mjeteve ekonomike apo politike. Partia Fidesz e ka shtrirë kontrollin edhe në sferën e kulturës, pasi inkubatori i talenteve i financuar nga Qeveria tani është aksionari më i madh në Libri, shtëpinë botuese më të madhe dhe me më ndikim në vend.

Më shumë politikë, ju lutem

Vetëm 40 kilometra nga kryeqyteti, Sukoro është një fshat piktoresk në breg të Liqenit Velence, një vend i njohur pushimesh për hungarezët adhurues të diellit. Në korrik, ky është po ashtu vendi tradicional i festivalit të muzikës për studentë, EFOTT, i cili tërheq dhjetëra mijëra të rinj çdo vit.

Njëri nga peformuesit e këtij viti është edhe reperi hungarez Lil Frakk, i cili është kritik i hapur i Fideszit, dhe e ka përkrahur Komitetin hungarez të Helsinkit, një organizatë për të drejtat e njeriut e cila përleshet me Qeverinë vazhdimisht.

“Nëse mendoj se ajo çfarë po ndodh me mësimdhënësit është gjë e keqe, do të flas dhe do të shkruaj për të”, tha reparti greko-hungarez 25-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit është Jorgosz Babaitisz. Ai iu referua një ligji të miratuar së fundmi nga Qeveria, i cili mund të bëjë që mijëra mësimdhënës ta braktisin profesionin e tyre tashmë të vështirësuar.

Lil Frakk në festivalin e muzikës, EFOTT, në Velence, Hungari, në korrik.
Lil Frakk në festivalin e muzikës, EFOTT, në Velence, Hungari, në korrik.

Në festivalin EFOTT, shumë njerëz pajtohem me të – dhe ka shumë të tjerë të cilët janë të gatshëm të dëgjojnë së paku. “Është me rëndësi të flitet për politikë”, tha Mate, një 20-vjeçar nga Szekszardm një qytet i vogël në jug të Hungarisë.

Dy gra në të 20-at e tyre nga Gyor, një qytet në veriperëndim të Hungarisë, mendojnë se artistët mund të flasin më shumë për politikë në muzikën e tyre.

“Nuk mendoj se është e rëndësishme se çfarë thotë [një artist]. Më rëndësi ka mënyra se si e paraqet”, tha njëra grua, e cila nuk deshi ta zbulojë emrin.

“Ne do ta përkrahnim këtë [sinqeritet], edhe nëse ne nuk pajtohemi me mesazhin”, shtoi mikja e saj.

Të parapëlqyerit e Fidesz

Sipas Agnes Patakfalvi-Czirjak, një antropologe sociale me fokus në popullizëm, Qeveria e Orbanit ka e promovuar “popullarizimin e përmbajtjes nacionaliste të krishtere bazuar në nostalgji”. Festat nacionale dhe koncertet rurale, shpesh të financuara nga Qeveria dhe pa pagesë për pjesëmarrësit, u ndihmojnë artistëve për të rritur popullaritetin dhe të hyrat.

Sipas akademikes nga Universiteti i Budapestit për Teknologji dhe Ekonomi, Fidesz parapëlqen muzikën e cila promovon nostalgjinë dhe unitetit nacional.

Një shembull i mirë i kësaj është Kowalsky meg a vega, një grup i cili dikur e bëri një video muzikore në bashkëpunim me ushtrinë hungareze.”Nuk ka dashuri më të madhe sesa ta japësh jetën vullnetshëm për të tjerët”, këndon ky grup, ndërsa video-klipi rrëfen historinë e një babai të dashur i cili i bashkohet ushtrisë për ta mbrojtur vendin.

Por, ka edhe censurë.

Një varg i tekstit të reperit Beton Hofi, në të cilin ai i referohej spiunimit të Qeverisë në mesazhet e teksteve, u hoq nga versioni i këngës së tij të lëshuar në televizionin shtetëror. Dhe, pop grupi me të cilin Babaitisz u paraqit në festivalin EFOTT, WellHello, u fut në telashe, pasi lideri i grupit, Tamas Karacson, bërtiti “George Soros” gjatë një interviste drejtpërdrejt në televizionin shtetëror më 2018.

Për radion e kontrolluar nga Qeveria, apo mike me të, kjo ishte e tepërt dhe kënga e WellHellos u hoq nga transmetimi.

Soros, miliarderi dhe filantropi amerikano-hungarez, përbuzet vazhdimisht nga Qeveria dhe në rrjetet sociale. Kur emri i tij shfaqet ne televizionin publik, bëhet zakonisht në lidhje me akuza për financim të jashtëm, apo pse e financon Universitetin Qendror Evropian në Budapest, i cili shihej nga shumë njerëz në partinë e Fideszit si vend ku ushqehet liberalizmi dhe në fund u dëbua nga vendi.

“Më duhet ta pranoj se ky është çmimi [që ngre zërin]” tha Funktasztikus, një tjetër reper hungarez.

“Unë mendoj se ky vend po bëhet tejet i pashpresë, posaçërisht në zonat rurale”, tha Funktasztikus për Radion Evropa e Lirë përmes emailit, emri i vërtetë i të cilit është Adorjan Csato. Ai jeton në kontin më të varfër të Hungarisë, Borso-Abauj-Zemplen, në veri të vendit, për dallim nga shumica e artistëve hungarezë të hip-hopit që jetojnë në Budapest dhe qytetet e tjera të mëdha me opozitë aktive politike dhe me jetë të gjallë kulturore.

“Ndiej sikur e mediat qeveritare e kanë arritur qëllimin për shpëlarje truri dhe nuk ka kthim mbrapa më”, thotë Funktasztikus.

“E kam kritikuar Qeverinë aq shumë saqë dëgjuesit e mi po i paketojnë valixhet për një fillim të ri diku tjetër”, thotë Krubi në këngën e tij të fundit, Krubi interju, duke iu referuar rritjes së numrit të të rinjve që po e braktisin Hungarinë çdo vit, pasi janë ngopur me ekonominë në rënie të vendit dhe me një sistem politik të cilit s’i besojnë.

Sipas një sondazhi së fundmi, 40 për qind të hungarezëve nën moshën 40-vjeçare mendojnë të jetojnë jashtë vendit.Skepticizmi i Krubit është me vend. Reperët si Krubi po mundohen t’u predikojnë njerëzve me të cilët pajtohen tashmë, duke qenë se adhuruesit e tyre janë kritikë të zëshëm të Qeverisë tashmë.

Të vjetrit – bastioni i Orbanit, të cilët muzikën e dëgjojnë në radio – nuk janë te ekspozuar ndaj muzikës rep.

Sipas sociologëve Barna dhe Patakfalvi-Czirjak, këta këngëtarë nuk artikulojnë kritika komplekse për Qeverinë.

“Në vend se të dalin nga korniza e hallakatur që Qeveria e ka zbatuar me sukses, ata distancohen nga ajo duke e përdorur ironinë dhe humorin, por ata nuk krijojnë diskutime të reja dhe kështu dështojnë t’ua tregojnë njerëzve drejtimin e duhur”, tha Patakfalvi-Czirjak.

Go to TOP