Arsimi Dual po krijon ura të qëndrueshme mes arsimit dhe tregut të punës

Në ambientet e kompanisë Meridian Express u mbajt ceremonia e parë e certifikimit të nxënësve të drejtimit Tregti nga SHML “7 Shtatori” në Prishtinë, të përfshirë në sistemin e Arsimit Dual në Kosovë.

Kjo ceremoni shënoi një moment të rëndësishëm për nxënësit që tashmë po fitojnë jo vetëm njohuri teorike, por edhe përvojë konkrete profesionale përmes praktikës në kompani. Përmes modelit të Arsimit Dual, të rinjtë po përgatiten më mirë për tregun e punës dhe po krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me sektorin privat.

Ky bashkëpunim realizohet ndërmjet Odës Ekonomike të Kosovës, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut përmes projektit LuxDev në Kosovë.

Sistemi i Arsimit Dual po sjell një qasje të re në arsimin profesional, ku mbi 50% e aftësimit zhvillohet drejtpërdrejt në ndërmarrje. Ky model po ndikon drejtpërdrejt në zvogëlimin e hendekut ndërmjet arsimit dhe kërkesave reale të tregut të punës.

Deri më tani janë trajnuar dhe certifikuar 241 profesionistë nga sektori privat si ekzaminerë, të cilët së bashku me mësimdhënësit e praktikës profesionale do të vlerësojnë mbi 1200 nxënës. Në të njëjtën kohë, Oda Ekonomike e Kosovës vazhdon angazhimin për certifikimin e mbi 500 kompanive dhe trajnimin e 500 instruktorëve, me qëllim krijimin e një mjedisi cilësor dhe të sigurt për aftësimin profesional të të rinjve.

Drejtori në MASHTI, z. Lah Nitaj, vlerësoi bashkëpunimin institucional si çelës të suksesit të këtij modeli duke theksuar se Kosova ka kapacitet dhe gatishmëri për zbatimin e suksesshëm të Arsimit Dual.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Meridian Express, z. Kemajl Bajrami, ritheksoi gatishmërinë e kompanisë për të vazhduar mbështetjen ndaj iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin profesional të të rinjve.

Ndërsa drejtoresha e SHML “7 Shtatori”, znj. Hatixhe Ratkoceri, tha se kjo arritje është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të nxënësve, mësimdhënësve dhe partnerëve institucionalë.

Arsimi Dual po dëshmohet si një nga mekanizmat më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit duke krijuar kuadro profesionale të përgatitura sipas nevojave reale të tregut të punës. /Kosova.info/


Go to TOP