Arsenal merr pikë nga Manchester City në fund të ndeshjes
Një gol i Gabriel Martinelli në momentet e fundit i ka dhënë Arsenal një barazim 1:1 ndaj Manchester City.
City e ka nisur ndeshjen më mirë dhe ka kaluar në epërsi që në minutën e nëntë, kur Erling Haaland ka realizuar golin e tij të njëmbëdhjetë në gjashtë ndeshjet e fundit për klub dhe kombëtare.
Pas golit, ekipi i Pep Guardiola e ka menaxhuar lojën mirë, duke u mbrojtur mirë dhe duke e ngadalësuar ritmin e Arsenal.
“Topçinjtë” kanë reaguar sidomos në pjesën e dytë, pas futjes në lojë të Bukayo Saka dhe Eberechi Eze, duke rritur presionin drejt portës së Donnarumma.
Megjithatë, City ka mbetur i rrezikshëm në kundërsulme me Haaland, para se Guardiola të vendoste ta freskonte skuadrën duke e nxjerrë atë nga loja.
Kur dukej se mysafirët do ta merrnin fitoren, në minutat shtesë Martinelli është gjendur në zonë pas një pasimi të Eze dhe ka shënuar me qetësi për 1:1, duke shpëtuar një pikë të madhe për skuadrën e trajnerit Mikel Arteta.
Ky rezultat mban Arsenalin në vendin e dytë me pesë pikë prapa Liverpool dhe tri pikë më shumë se City, që gjenden në vendin e nëntë.
