Arifi: Votimi i Simiqit, dorëzim moral i LVV-së dhe zhveshje nga narrativa e sovranitetit
Ish kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar ashpër pas votimit të Slavko Simiqit nga Lista Serbe për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç e ka quajtur ai, “dorëzim moral” dhe hipokrizi politike.
Sipas Arifit, LVV-ja, e cila për vite me radhë ka ndërtuar diskursin politik mbi sovranitetin, rezistencën dhe moskompromisin ndaj Listës Serbe, tani ka vepruar në kundërshtim me narrativën që vetë e ka promovuar.
“Kur LVV voton për Slavko Simiqin si nënkryetar të Kuvendit, nuk kemi të bëjmë me procedurë parlamentare, por me normalizim të hipokrizisë politike”, ka deklaruar Arifi.
Ai ka theksuar se votimi i një figure që përfaqëson Listën Serbe, të cilën e cilësoi si strukturë të lidhur drejtpërdrejt me Beogradin, është bërë pa reflektim publik dhe pa kërkim faljeje ndaj elektoratit.
Sipas tij, ky veprim nuk mund të arsyetohet si maturi politike apo shtetërore, por përbën, siç u shpreh ai, “zhveshje të LVV-së nga narrativa që vetë e ka ndërtuar” dhe ekspozim të saj si subjekt që bën atë që dikur e quante tradhti.
Arifi përmbylli reagimin e tij me tone kritike duke thënë se qytetarët nuk i harrojnë shpejt manipulimet politike dhe se Kosova ka nevojë për qëndrime të qarta e parimore. /Kosova.info/
