Arifi kundër Osmanit: Kurrë më Presidente, duhet të zgjidhet një figurë nga Diaspora

Shqiprim Arifi, politikan dhe aktivist nga Presheva, ka deklaruar hapur se nuk e sheh të përshtatshme Vjosa Osmanin për pozicionin e Presidentes së Kosovës. Sipas tij, Osmani, e cilësuar si “nuse e Preshevës”, nuk ka treguar angazhim për çështjet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Arifi ka theksuar se për të, pasuria personale, fëmijët e saj dhe lufta ndaj mediave kanë qenë gjithmonë më të rëndësishme sesa: diskriminimi i shqiptarëve në Luginë; pasivizimi i shqiptarëve në Luginë;

Marrëdhëniet dhe reciprociteti mes shqiptarëve në Luginë dhe serbëve në veri dhe qëndrimi kundër bashkimit të Luginës me Kosovën.

Ai ka vënë në dyshim mungesën e iniciativës së Osmanit për të thirrur konferenca për shtyp apo seanca parlamentare lidhur me Luginën, ndërsa për fëmijët e saj organizonte ngjarje publike për të sulmuar mediat.

Arifi ka treguar edhe një takim të fundit me Osmanin, ku sipas tij, ajo ka marrë me cinizëm paralajmërimet e tij për sanksione nga BE dhe SHBA, dhe për shpalljen e kryeministrit Albin Kurti si persona non grata.

“Pra, kurrsesi Presidente më!” ka deklaruar Arifi duke shtuar se tani duhet të zgjidhet një Presidente ose President nga Diaspora. Ai ka kërkuar që Albin Kurti t’i propozojë Parlamentit një figurë që vjen nga jashtë vendit, ndërsa ka mohuar çdo mundësi bashkëpunimi me kryeministrin.

Deklarata e tij ka shkaktuar jehonë në opinionin publik dhe ka rihapur diskutimin mbi përfaqësimin e Diasporës në pozicionet më të larta shtetërore. /Kosova.info/


Go to TOP