Ansambli i Këngëve e i Valleve `Deçani` shënon etapë të re në art folklorik
Në vetëm pesë vjet që nga themelimi, ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Deçani”, ka arritur sukses pas suksesi. Ky ansambël është shpërblyer me çmime të shumta, duke përfshirë dy herë vendin e parë në festivalin “Hasi Jehon”, si dhe fitore në festivale të tjera të rëndësishme, duke përfshirë Opojën, Malishevën, Kaçanikun, Pukën, Gjakovën dhe në Plavë e Guci.
Nuk ka më shumë se 5 vjet që kur u themelua, mirëpo sukseset e Ansamblit të këngëve dhe valleve “Deçani”, po renditën njëra pas tjetrës. Dy herë fitues të vendit të parë në festivalin “Hasi jehon”, pastaj në festivalet si në atë të Opojës, Malishevës, Kaçanikut, Pukës, Gjakovës dhe në atë në Plavë e Guci, ky ansambël është shpresë e së ardhmes artistike, thotë njohësi i folklorit koreografik, prof Dilaver Kryeziu.
“Edhe pse jam koreograf i nëntë ansambleve në Kosovë dhe katër jashtë saj, ky koncert më fascionoi me lëvizjet, teknikën dhe buzëqeshjet që ishin të dukshme tek të gjithë valltarët. Arti do buzëqeshje, dhe këta artistë e sollën këtë në mënyrën më të bukur”, tha Dilaver Kryeziu, koreograf.
“Ky ka qenë një vit shumë i suksesshëm për ne. Kemi fituar shumë çmime, përfshirë atë të festivalit ‘Hasi Jehon’. Megjithatë, për ne çmimet nuk janë arsye për të ndaluar. Ne do të punojmë ende më shumë për të përmirësuar performancat tona”, tha Genc Tetaj, drejtor i AKV “Deçani”.
“AKV ‘Deçani’ është një ansambël i ri, por që ka bërë bujë të madhe. Kjo falë punës së koreografit Genc Tetaj, një djalë i ri dhe i talentuar, që është arsyeja që ne paraqesim këtë art të bukur”, tha Orgesa Ramosaj, valltare.
“AKV ‘Deçani’ është një qershi mbi tortën e kulturës deçanase. Historia e traditës kulturore këtu është mbi 50 vjeçare, dhe ky ansambël e ruan dhe promovon këtë trashëgimi jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan dhe më gjerë”, tha Prof. Bekim Vishaj.
Në koncertin e fundvitit, mbi 70 valltarë dhe këngëtarë të të gjitha moshave paraqitën performanca mbresëlënëse, duke shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm për këtë ansambël.
