Analistët kërkojnë zgjidhje për krizën e miratim të buxhetit
Analistët politikë në ‘RTK Prime’ kanë diskutuar për krizën politike në vend, që, bazuar edhe në deklaratat e të gjitha subjekteve politike, po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ata kanë diskutuar për çështjen e buxhetit dhe fondit për rimëkëmbjen ekonomike, që do të trajtohen në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që do të mbahet të pas dy ditësh.
Sadik Zeqiri, analist politik, tha se Kuvendi i Kosovës, pa formimin e qeverisë, nuk mund të ftojë seancë e për rrjedhojë as të formojë komisionet parlamentare, as të mblidhet si kryesi për të caktuar data për mbledhje të Kuvendit.
Madje, sipas tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës shkel Kushtetutën nëse fton anëtarët e Kryesisë së Kuvendit për mbledhje.
“Kuvendi konstituohet për të formuar qeverinë, më pas funksionaliteti i qeverisë, i ministrive në qeveri arsyetojnë dhe mundësojnë që në Kuvend të ketë komisione në kuadër të Kuvendit, të cilat do ta mbikëqyrnin qeverinë dhe pa qeveri ato komisione kë do të mbikëqyrin”, tha Zeqiri në ‘RTKPrime’.
Fatime Hajdari, analiste politike, tha se proceduralisht është e qartë se pa formimin e qeverisë nuk mund të procedohet në seanca të tilla në Kuvend, por që për hir të situatës në të cilën ndodhet vendi, me nismën e qeverisë në detyrë do të mund të thirrej një seancë e jashtëzakonshme dhe të mbetej në vullnetin e deputetëve për ta çuar përpara miratimin e buxhetit.
“Gjasa që të formohet një qeveri e re tanimë nuk janë të mundshme dhe për të dalë nga kjo krizë është më e rëndësishme të propozohet buxheti nga kjo qeveri në detyrë dhe të shkohet më tutje”, theksoi Hajdari.
Kurse Fadil Maloku, profesor universitar, lidhur me buxhetin e shtetit, tha se do të duhej gjetur një kompromis mes partive politike për të dalë nga kriza, qoftë edhe në formimin e një qeverie teknike, për hir të interesit nacional.
Ndërsa Tomë Gashi, avokat, tha se mbetet që presidentja e vendit të gjejë një zgjidhje kreative për miratimin e buxhetit, që nuk do të nënkuptonte shkeljen e Kushtetutës. Megjithatë, ai tha se mund të ketë edhe votim të qeverisë së re.
“Brenda pak ditësh mund të kemi seancë ku do të mund të votohet qeveria e re dhe do të mund të gjendet zgjidhja”, tha Gashi.
Tutje, analistët vlerësuan se do të ishte e udhës që të formohej një qeveri teknike për të dalë nga kjo krizë në të cilën ndodhet vendi.
Tanimë është në dorën e presidentes së vendit e cila do të kërkojë nga partitë politike konsensus politik për të gjetur zgjidhje për disa çështje që janë kyçe për vendin, siç janë buxheti dhe fondet për rimëkëmbjen ekonomike nga BE.
Ndryshe, buxheti i vendit për vitin 2026 e Plani i Rritjes do të jenë thirrjet për kompromis që presidentja e shtetit, Vjosa Osmani pritet t’iu adresojë liderëve politikë kur t’i nis konsultat, pas dështimit të Albin Kurtit si mandatar i parë që t’i siguronte votat e mjaftueshme për krijimin e qeverisë së re të dielën që shkoi.
