Ambasadori i Turqisë viziton Termokosin – mbështetje për projektet e tranzicionit të gjelbër në Prishtinë

Kryeshefi ekzekutiv i Termokos-it, Fisnik Osmani, priti në një vizitë zyrtare Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin zhvilloi një takim të frytshëm në ambientet e ndërmarrjes.

Gjatë takimit, u diskutua për projektet aktuale të Termokosit dhe përkushtimin e menaxhmentit në ofrimin e një shërbimi të qëndrueshëm dhe cilësor për qytetarët e Prishtinës. Osmani e njoftoi Ambasadorin Angılı për projektet kapitale që ngrohtorja është duke zhvilluar, të cilat pritet të luajnë një rol kyç në tranzicionin e gjelbër energjetik të vendit.

“Kemi synim të qartë për të ecur përpara drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme. Bashkëpunimi me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare është thelbësor në këtë drejtim,” theksoi Osmani.

Ambasadori Angılı shprehu gatishmërinë e shtetit turk për të mbështetur iniciativa që avancojnë infrastrukturën energjetike dhe ruajnë mjedisin, duke e vlerësuar lart punën që po bën Termokosi në këtë drejtim.

Vizita u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në sektorin e energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm. /Kosova.info/


Go to TOP