Ambasadori i Francës në Kosovë viziton Kaçanikun

Kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Njoftimin e ka dhënë komuna e Kaçanikut në llogarinë e vet zyrtare në “Facebook”.

Në njoftim thuhet se kryetari Ilazi e falënderoi ambasadorin dhe u shpreh i kënaqur me vizitën, ndërsa theksoi që Kaçaniku ofron një ambient të favorshëm për zhvillimin e turizmit.

Kryetari e njoftoi se përmes ligjit për dhënie të pronës në shfrytëzim, komuna është e gatshme t’ua ofrojë investitorëve seriozë pronën komunale në mënyrë që të bëhet tërheqja e investitorëve me qellim të krijimit të vendeve të reja të punës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

“Po ashtu, së bashku me ambasadorin dhe investitorët e interesuar për investime në fushën e agroturizmit, u vizituan fshati Kotline dhe Strazhë , si dhe biznesi JLG CONSTRUCTION i pronarit Agron Zeneli, me aktivitet prodhimin e konstruksioneve metalike, i cili produktet i eksporton në shtetin e Francës dhe të cilit nga komuna i është dhënë prona komunale në shfrytëzim”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/


Go to TOP