Akuzohet se goditi me drapër deri në vdekje një 19-vjeçar në Greqi, arrestohet shqiptari

Policia greke ka arrestuar të mërkurën autorin e dyshuar të vrasjes së një 19-vjeçari dy ditë më parë në Selanik.

Lajmi është bërë me dije nga ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Takis Theodhorikakos, i cili tha se autori i dyshuar është një 23-vjeçar me kombësi shqiptare. Sipas medias greke ai quhet Afksendios Garsiu.

Theodhorikakos tregoi se 23-vjeçari shqiptar ishte shoqëruar së bashku me tre persona të tjerë pak pas ekzekutimit të 19-vjeçarit, Alqis Kambanou, dhe pasi u mor në pyetje, i dyshuari pranoi se ka qenë ai personi që ka goditur viktimën me shkelma dhe një drapër, duke i shkaktuar kështu vdekjen.

Mësohet se autori i dyshuar i kësaj vrasje ishte identifikuar nga miqtë e 19-vjeçarit dhe sipas të cilëve, ai ndodhej mes grupit të personave që sulmuan tifozët e ekipit të “Aris”, të kryeqendrës së veriut të Greqisë.

Go to TOP