Akuza të rënda ndaj Valon Hotit: Lirim Mehmetaj rrëfen plan për atentat ndaj Safet Gërxhaliut – kërkohet hetim i menjëhershëm
Gazetari Lirim Mehmetaj ka bërë një rrëfim tronditës në rrjete sociale duke akuzuar Valon Hotin – të cilin e cilëson si “vuvuzelë fundore të Vetëvendosjes” – për pjesëmarrje në një plan të dhunshëm ndaj ish-kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Mehmetaj pretendon se Hoti, bashkë me disa persona të tjerë, kishte për qëllim “ta rrihte për vdekje” Gërxhaliun për shkak të kritikave të tij ndaj Lëvizjes Vetëvendosje
Sipas Mehmetajt, ngjarja daton nga një periudhë më e hershme kur Gërxhaliu ishte në krye të Odës Ekonomike të Kosovës dhe kishte një qëndrim të hapur kritik ndaj Vetëvendosjes. Ai pohon se Hoti dhe një grup i organizuar militantësh të Lëvizjes ishin vendosur në pritë pranë shtëpisë së Gërxhaliut me qëllimin që ta sulmonin fizikisht.
“Plani ishte që të rrihej për vdekje Gërxhaliu”, shkruan Mehmetaj duke shtuar se aksioni nuk u realizua pasi grupi u alarmua nga disa krisma në errësirë duke besuar se ishin dekonspiruar. Ai thotë gjithashtu se disa nga të pranishmit atë natë më pas u përfshinë edhe në sulmin e armatosur me zollë në Kuvendin e Kosovës.
Gazetari shprehet i gatshëm për ballafaqim publik me Valon Hotin dhe kërcënon se, nëse ky i fundit e mohon ngjarjen, do të publikojë incizime që sipas tij e provojnë rastin.
Për këtë rrëfim të rëndë ka reaguar edhe analisti Shenoll Muharremi, i cili kërkon hetim urgjent nga organet e drejtësisë.
“Kjo më tmerron jashtë mase dhe ende nuk po besoj që mundet me qenë e vërtetë. Kjo duhet me u hetu dhe me u vërtetu sa më parë nga organet profesionale të drejtësisë”, ka thënë ai.
Muharremi kërkon që nëse këto pretendime vërtetohen, ndëshkimi të jetë maksimal dhe shembullor për të parandaluar çdo tendencë të ngjashme në të ardhmen.
“Nuk po muj me besu që ka njerëz në Kosovë që mendojnë që mundet me u vra fjala e lirë dhe profesionalizmi”, përfundon ai. /Kosova.info/
