Aktrimi në lojë me pikturën

Shkruan: Naser ShATROLlI

Në kuadër të kolonisë artistike e aranzhuar nga ‘’Prishtina Art’’ me një format unik teatror performativ janë paraqitur aktorët e teatrit ‘’Dusevi’’ të Samsunit, me një përvojë të gjatë teatrore; Cem Kaynar, Ferda Kaynar dhe Meryem Cavga Akkaya që ishte në kuadër të idesë, në lojën e pikturës, ndërsa, vargjet dramatike i kishin të zgjedhura nga poeti i njohur këtu e në botë, Nazim Hikmet.

Formula

Qasja e aktorëve qe mes frymës së interpretimit poetik – teatror dhe këndimit dhe lojës me brushë e luajtur nga Meryem Cavga Akkaya, kuratore dhe emër i përveçëm në rrjetin e artistëve pamor.

Dinamikat emocionale, situatat e forca dramatike, brendësimi i lojës me universin psikologjik, konteksti i tematikës që ndërlidhej me metaforën e vendit, lirisë së cunguar, realitetit të një mendësie ku përshkruhen vuajtjet në burgje, duhani, këngët, oxhaqet e fabrikave, njerëzit me mustaqe të zhubrosur nga tymi i përvuajtjeve, shumëngjyrshmëria e rrushit, njerëz të uritur, gjysmë të robëruar, përfshirja e një game të gjerë idesh brenda një filozofie, secila dhe ndaras përshkruhet si mundësi për ndryshim dhe si mesazh për të mos heshtur, njëherësh, pamjaftueshmëria e të qenurit vetvetja në rrethana të ndryshme përfshirë hapësirën e detit për të larë mallin dhe dëshpërimin në ujëra e tokës së vet.

I veçoj aktorët që luanin marrëdhënie, uniforme me hapësirën. Fakti që improvizonin bindshëm në hapësirat e Grand Hotelit, më asoconin në vargjet e autorit, fakti që, rrëmuja, muret të zhubrosura, komunizmi, kishte formën e kohës në sensin ikonik, si shenjë, si lajtmotiv, si formulë e shoqërive ku dominon ndjesia e konformizmit, e lartësive të furishme të erërave që godasin tallazet e brigjet e mendimit të lirë.

Njeriu është në ide ndërsa pesha e tij në rrethana izolimit dhe dëshira për të çuar trajektoren para ngelen kuptim për botëkuptimin e derës ideofilozofike. Cem, ishte aktor i natyrës së teatrit klasik, nisur nga pikëpamja e baritonizmit që këndimin e kishte subjekt në relacion me objektivat, ndërsa artikulimet të çonin në drejtime skenike sikundër dhe Ferda aktorja e cila qëndronte në tercat e solomodulacioneve skenike.

Përveç tjerash, përvojat e tyre u farkëtuan me fjalën, veprimin dhe mendimin.

Aktiviteti është i organizuar nga Blerim Gerguri – “Prishtina Art”, që tashmë ka marr formën e imazhit kulturor fakti që për-bashkon brenda një ekspozite artistët, të cilët, përbirojnë forma ideokërkimore dhe i japin sharm objektiv llojllojshmërisë së peizazheve pamore.

Go to TOP