AKB ngre alarmin për migrimin dhe thirrjet për reforma
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka publikuar një studim lidhur me fuqinë punëtore dhe migrimin në Ballkanin Perëndimor, i cili përputhet me gjetjet e fundit të Komisionit Evropian. Studimi tregon se papunësia ka rënë në shumicën e vendeve të rajonit duke arritur nivele historikisht të ulëta, por mbetet ende më e lartë krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian.
Sipas AKB-së, edhe pse është shënuar një rritje modeste e punësimit prej vetëm 0.2%, kjo tregon se tregu i punës vazhdon të ndjejë pasojat e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik.
Në rajon ekziston nevoja për profile të caktuara profesionale, sidomos në sektorët e ndërtimit, teknologjisë së informacionit, tregtisë, logjistikës dhe turizmit. Profesionet më të kërkuara janë: shoferë transporti; zanatlinj; programues dhe IT; punëtorë në prodhim dhe punëtorë sezonalë në turizëm.
Të rinjtë që sapo kanë përfunduar shkollimin, pa përvojë pune, janë ndër grupet që kërkojnë më shumë punë, por gjithashtu edhe punëtorët më të vjetër që nuk zotërojnë shkathtësi digjitale përballen me vështirësi. Gratë në zonat rurale janë veçanërisht të rrezikuara nga përjashtimi nga tregu i punës për shkak të mungesës së mundësive fleksibile.
AKB vlerëson se ekziston një gatishmëri gjithnjë e më e madhe tek të rinjtë për ri-kualifikim në profesione të kërkuara, por thekson se mungon mbështetja institucionale për trajnime praktike dhe programe të lidhura ngushtë me tregun e punës.
Ndërkohë, profesionet tradicionale administrative dhe ato që nuk janë përshtatur me zhvillimet teknologjike, kanë gjithnjë e më pak kërkesë në treg.
Edhe gjatë verës 2025, vërehet një valë e shtuar migrimi të fuqisë punëtore drejt BE-së – kryesisht në Gjermani, Austri, Slloveni dhe Kroaci. Emigrimi ndodh për arsye të kushteve më të mira, pagave më të larta dhe kontratave të sigurta, veçanërisht në sektorët e ndërtimit, turizmit, bujqësisë dhe shëndetësisë.
Në përfundim, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se: “Çelësi për uljen afatgjate të papunësisë dhe ndaljen e migrimit është investimi në arsim, zhvillimi i shkathtësive digjitale dhe lidhja më e fortë ndërmjet shkollimit dhe nevojave të tregut të punës. Vetëm kështu mund ta mbajmë fuqinë punëtore në vendet tona dhe të zvogëlojmë dallimin me Bashkimin Evropian.” /Kosova.info/
