AKB: Masat ndaj produkteve nga Shqipëria dëmtojnë tregun dhe bashkëpunimin ekonomik

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim për qasjen e fundit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaj kontrollit dhe trajtimit të produkteve të importuara, veçanërisht atyre me origjinë nga Shqipëria.

Sipas AKB-së, Kosova si nënshkruese e marrëveshjeve ndërkombëtare si CEFTA dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, është e obliguar të garantojë lëvizjen e lirë të mallrave dhe të shmangë barrierat jo-tarifore në tregti.

AKB thekson se mbrojtja e konsumatorit dhe prodhimit vendor është e rëndësishme, por nuk duhet të shndërrohet në masa që krijojnë pengesa selektive ndaj produkteve “Made in Albania”.

“Për bizneset e Kosovës dhe AKB-në, tregu i Shqipërisë është treg kombëtar, ashtu si edhe tregu i Kosovës për bizneset shqiptare. Çdo pengesë artificiale në kufi dëmton ekonominë dhe partneritetin mbarëkombëtar,” thuhet në reagim.

AKB propozon që institucionet të fokusohen në standarde të barabarta të sigurisë ushqimore, harmonizim të rregullave Kosovë-Shqipëri dhe lehtësim të procedurave doganore e fitosanitare, në vend të kontrolleve selektive.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se ekonomia kombëtare nuk forcohet me barriera, por me bashkëpunim dhe treg të përbashkët shqiptar.

Go to TOP