AKB kundërshton përjashtimin e katër komunave veriore nga rritja e çmimit të energjisë: Cenim i barazisë dhe sovranitetit të Kosovës
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe të Qeverisë së Kosovës për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16% duke përjashtuar nga kjo rritje katër komunat në veri të vendit, të banuara kryesisht nga qytetarë serbë.
Në reagimin e saj, AKB thekson se një vendim i tillë përbën shkelje të rëndë të parimit të barazisë dhe trajtimit të barabartë të qytetarëve dhe konsumatorëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas AKB-së, ky përjashtim cenon të drejtat e konsumatorëve shqiptarë, krijon ndarje etnike të papranueshme dhe rrezikon sovranitetin energjetik të vendit në pjesën veriore.
“Një qasje e tillë jo vetëm që dëmton interesin e bizneseve dhe qytetarëve, por dobëson edhe besimin në institucionet shtetërore në atë pjesë të Kosovës,” u shpreh Agim Shahini, kryetar i AKB-së.
AKB kërkon nga ZRRE dhe Qeveria e Kosovës që të trajtojnë të gjithë qytetarët dhe bizneset pa diskriminim etnik, të rikthejnë sovranitetin energjetik në të gjithë territorin e Kosovës dhe të respektojnë të drejtat e konsumatorëve në mënyrë të paanshme dhe transparente.
Në përmbyllje, AKB riafirmoi përkushtimin për mbrojtjen e interesave të bizneseve dhe konsumatorëve dhe paralajmëroi se do të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë dhe institucionalë për të kundërshtuar këtë padrejtësi. /Kosova.info/
