AKB kërkon anulimin e vendimit të ZRRE-së: Bizneset nuk mund të mbijetojnë në pasiguri juridike

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Komerciale për pezullimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë duke e cilësuar këtë hap si të domosdoshëm për të ndalur dëmet ndaj sektorit privat.

Në një deklaratë zyrtare, AKB e mirëpret vendimin e gjykatës duke e cilësuar si një konfirmim të pasigurisë juridike që ka shoqëruar këtë proces që nga fillimi. Ajo rithekson kërkesën që ZRRE ta anulojë menjëherë vendimin e kontestuar, pasi ai është marrë pa transparencë dhe me gabime serioze procedurale.

“Bizneset kanë nevojë për stabilitet dhe parashikueshmëri, jo për vendime të nxituara që rrezikojnë funksionimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Sipas tyre, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është zhvilluar pa përfshirjen e komunitetit të biznesit dhe pa një analizë të thellë të ndikimit që mund të ketë mbi ekonominë vendore.

AKB u bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të veprojnë me maturi dhe përfshirje duke garantuar një treg të hapur, të drejtë dhe të sigurt për të gjithë aktorët ekonomikë në vend. /Kosova.info/


Go to TOP