AKB-ja përfaqëson bizneset e Kosovës në forumin e European Economic and Social Committee në Vjenë
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) po përfaqëson komunitetin e biznesit të Kosovës në Konferencën e Nivelit të Lartë “Trust and Partnership at the Heart of EU Enlargement”, që po mbahet në Vjenë.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, është përfaqësuesi i vetëm nga organizatat ekonomike të Kosovës në këtë forum të rëndësishëm evropian, ku po trajtohen sfidat dhe perspektivat e zgjerimit të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i European Economic and Social Committee, Seamus Boland, theksoi se rruga drejt BE-së kalon përmes tri shtyllave kryesore: sundimit të ligjit, administratës publike efikase dhe qeverisjes së mirë, si dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
Në këtë kontekst, u vlerësua se bizneset dhe shoqëria civile në Kosovë duhet të jenë pjesë kyçe e këtij procesi, duke luajtur rol aktiv në promovimin e zhvillimit, partneritetit dhe integrimit evropian.
Gjatë diskutimeve u theksua gjithashtu se Instrumenti i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor nuk po avancon me ritëm të njëjtë në të gjitha vendet. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë më të avancuara në zbatimin e Planit të Rritjes, ndërsa Kosova, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina përballen me progres më të ngadalshëm në realizimin e reformave.
AKB vlerëson se përshpejtimi i reformave ekonomike, forcimi i dialogut institucional dhe mbështetja më e madhe për sektorin privat janë vendimtare që Kosova të mos mbetet prapa në procesin e integrimit dhe zhvillimit ekonomik evropian. /Kosova.info/
