Ajvazi sfidon publikisht Fejzullahun në debat televiziv: ZRrE po fundos prodhuesit vendorë në kundërshtim me ligjin

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi, ka ftuar publikisht Kryesuesin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), z. Ymer Fejzullahu, në një përballje televizive për të diskutuar publikisht vendimet e fundit të ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë.

Ajvazi theksoi se ky liberalizim është bërë në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me ligjin, duke rrezikuar seriozisht prodhuesit vendorë dhe mijëra vende pune. Sipas tij, ZRRE ka refuzuar të japë sqarime, pavarësisht kërkesave zyrtare të Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës.

“Le ta shohë e gjithë Kosova se si ZRRE ka vendosur, në kundërshtim me ligjin, t’i fundosë prodhuesit vendorë përmes një liberalizimi të njëanshëm dhe të padrejtë të tregut të energjisë,” u shpreh Ajvazi.

Ai shtoi se është i gatshëm të përballet me z. Fejzullahu në cilindo televizion të vendit, me dokumente dhe fakte konkrete, për të dëshmuar të vërtetën dhe për të informuar qytetarët mbi pasojat e vendimeve të ZRRE-së.

“Le ta shohin qytetarët kush e thotë të vërtetën,” përfundoi Ajvazi në thirrjen e tij publike. /Kosova.info/


Go to TOP