Ajvazi: Një fabrikë ndalon prodhimin, 200 punëtorë mbesin pa punë – fajëson vendimin e ZRRE-së

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi, ka ngritur alarmin për një situatë shqetësuese në sektorin e prodhimit duke e quajtur “të dhimbshme, por të vërtetë”. Gjatë një vizite në terren, Ajvazi ka konfirmuar se një nga kompanitë prodhuese ka ndërprerë plotësisht prodhimin duke lënë rreth 200 punëtorë pa punë.

Sipas tij, arsyeja kryesore e kësaj krize është vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila ka detyruar ndërmarrjen të dalë në të ashtuquajturin treg të lirë të energjisë, pa përgatitje dhe pa ndjeshmëri ndaj ndikimeve në ekonominë reale.

“Kur vendimet burokratike merren pa përgatitje dhe pa ndjeshmëri për ekonominë reale – kjo është pasojë direkte: fabrikat ndalen, familjet preken, shteti humb,” ka deklaruar Ajvazi.

Shoqata e Prodhuesve të Kosovës ka kërkuar vazhdimisht mbështetje më të madhe për sektorin prodhues duke e konsideruar atë shtyllë të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në vend. Ky rast, sipas Ajvazit, është një sinjal i qartë për domosdoshmërinë e një qasjeje më të kujdesshme dhe të përgjegjshme institucionale. /Kosova.info/


Go to TOP