Ajvazi: Bizneset që fituan pezullimin janë kthyer në treg të rregulluar, qindra të tjera po vuajnë pasojat e liberalizimit të nxituar
Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve të Kosovës ka bërë të ditur se disa prej bizneseve që fituan masën e pezullimit janë rikthyer zyrtarisht në tregun e rregulluar të energjisë. Sipas tij, këtë e ka konfirmuar edhe ZRRE duke vërtetuar se vendimet e gjykatave po zbatohen dhe se këto biznese kishin të drejtë në ankesat e tyre.
“ZRRE zyrtarisht konfirmon që këto biznese janë kthyer në tregun e rregulluar. Kjo konfirmon qartë se bizneset kanë pasur të drejtë dhe se vendimet e gjykatave janë duke u respektuar,” tha Ajvazi.
Megjithatë, ai thekson se situata mbetet shqetësuese për qindra biznese të tjera, të cilat ende janë në pritje të vendimeve gjyqësore, ndërkohë që detyrohen të qëndrojnë në tregun e lirë, ku përballen me kosto më të larta dhe mungesë të plotë të garancive.
“Është shumë e dhimbshme që qindra biznese tjera ende presin vendimet e gjykatës, ndërkohë që po detyrohen të nënshkruajnë kontrata për tregun e lirë duke u përballur me kosto shumë më të larta dhe pa asnjë garanci,” shtoi ai.
Ajvazi vlerësoi se kjo situatë është dëshmi e qartë se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka qenë i nxituar dhe me pasoja serioze për sektorin prodhues në Kosovë.
“Ky është një sinjal alarmues që tregon se liberalizimi i tregut është realizuar pa përgatitje të mjaftueshme dhe pa vlerësim të ndikimeve në sektorin industrial,” përfundoi Ajvazi. /Kosova.info/
