Agjencia e Akreditimit pranohet në ENQA, ORCA publikon raportin mbi monitorimin e kësaj agjencie
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka publikuar sot raportin e saj të fundit mbi monitorimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), duke treguar më shumë për funksionimin, transparencën dhe integritetin e këtyre institucioneve për arsimin e lartë në vend.
Pika kryesore që u diskutua është pranimi zyrtar i Agjencisë së Akreditimit në “ENQA”, Shoqatën Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Raporti është publikuar në kuadër të projektit HEI 25 (Higher Education Intervention) dhe përfshin të dhëna e analiza mbi gjendjen e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, si dhe përparimet e bëra gjatë vitit të fundit.
Sipas raportit, Universiteti i Prishtinës vazhdon të mbetet institucioni me numrin më të madh të programeve të akredituara dhe me numrin më të lartë të studentëve në nivel vendi. Statistikat tregojnë po ashtu se 69 për qind e studentëve në institucionet publike janë vajza, ndërsa në institucionet private kjo përqindje është 56 për qind, duke reflektuar një përfshirje të lartë të grave në arsimin e lartë. Përveç kësaj, në raport tregohet edhe për një rritje të akreditimeve të programeve në periudhën 2019-2023 por një rënie në periudhën 2023-2024.
